Lajme Shqip Friday, 16 August 2013 09:54

Tiranë – Një raport konfidencial i Kontrollit të Lartë të Shtetit akuzon Bankën e Shqipërisë për shpenzime të larta dhe abuzime me paratë publike. Raporti, i cili mban firmën e kryetarit Bujar Leskaj, i kërkon Kuvendit të ndërhyjë menjëherë për të disiplinuar financiarisht Bankën Qendrore dhe për të minimizuar hapësirat e abuzimit me fondet publike në këtë institucion. Që në fillim të tij, dokumenti i Kontrollit konstaton se pagat dhe shpërblimet për drejtuesit e Bankës së Shqipërisë, Këshillit mbikëqyrës, por edhe punonjësve të thjeshtë janë në nivele shumë të larta, të pakrahasueshme me asnjë institucion tjetër kushtetues. Madje sipas KLSH ato kanë dalë përtej kornizave të tregut dhe jashtë realitetit shqiptar, raporton TCH.

Vetë raporti dokumenton si shembull ilustrues atë të dietave. “Nivelet e dietave ditore për guvernatorin dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës janë pothuajse sa dyfishi i dietave që merr Kryeministri dhe 60 euro më shumë në ditë se sa ajo e Presidentit të Republikës,” thuhet në raport.

Kjo do të thotë se vetëm diferenca ditore prej 60 euro mes dietës së guvernatorit dhe asaj të presidentit është gati sa gjithë pagesa mujore që përfiton një pensionist në Shqipëri.

“Vetëm dieta e drejtorëve të departamenteve janë sa ato të Presidentit dhe madje në shumë raste mungojnë dokumentet për të verifikuar kohëzgjatjen e qëndrimit në shërbim dhe kthimin e punonjësve”, thotë raporti.

Në fund kreu i KLSH-së, Leskaj jep një sërë rekomandimesh urgjente për disiplinimin financiar të Bankës Qendrore, ku fillimisht i kërkon Kuvendit të ndryshojë ligjin dhe më pas t’i heqë bankës të drejtën që ta kontraktojë vetë kompaninë që bën auditin për ta marrë vetë atë.