Lajme Shqip Tuesday, 30 July 2013 17:10

New York – Në raportin e tij më të fundit mbi zhvillimet tremujore në Kosovë, raport që ju dha RTK-së nga burime në New York, Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Ban Ki Moon, i vlerëson hapat pozitivë të ndërmarr nga Prishtina dhe Beogradi që çuan ‘në marrëveshjet historike dhe në një progres fundamental drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Ai përgëzon udhëheqjet politike në Prishtinë dhe Beograd që treguan siç thotë ‘angazhim serioz dhe të palëkundur gjatë dialogut.’
“Zbatimi i marrëveshjeve midis Beogradit dhe Prishtinës në veri të Kosovës mbetet një sfidë kryesore,” shkruan Sekretari Ban për të shtuar se ‘në këtë drejtim angazhimi i Beogradit me serbët e Kosovës mbetet i rëndësishëm.’
Ai thotë se këto përpjekje ‘duhet të plotësohet me shtrirje të dorës nga ana Prishtinës duke i ofruar siguri popullsisë lokale.’ Në mënyrë që të shmangen tensionet dhe arrihet sukses, Ban thotë se është e rëndësishme që ‘edhe serbët lokalë të Kosovës ta shohin veten si palë e interesuar në proces.’
“Trashëgimitë e pazgjidhura të konfliktit, përfshirë edhe rastet e pazgjidhura të personave të zhdukur si dhe sjellja para drejtësisë e të gjithë atyre që janë përgjegjës për krime të luftës dhe vepra të tjera penale, duhet të mbeten prioritete kyçe,’ thuhet në raportin mbi Kosovën të Sekretarin Ban ki Moon që përfshin një peridhë të zhvillimeve prej 23 prillit deri më 15 korrik.
Raporti do të shqyrtohet në një seancë të veçantë të Këshillit të Sigurimit më 29 gusht nën kryesimin e Argjentinës, takim ku pritet të marrin pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiq.