Lajme Shqip Wednesday, 01 June 2011 16:55

Prishtinë – Lëvizja Vetëvendosje kërkon interpelancë të kryeministrit Hashim Thaçi, rreth kontratës me kompaninë Bektel–Enka, që po ndërton autostradën Vërmicë-Merdare. Kërkesën për interpelancë Vetëvendosja e ka dorëzuar sot në Kuvendin e Kosovës.

Zyrtarë të saj thanë se qeveria e Kosovës duhet menjëherë ta publikojë të gjithë dokumentacionin që ka të bëjë me autostradën.

Deputeti Visar Ymeri arsyetoi thirrjen në interpelancë të kryeministrit Thaçi.

“ Arsyeja se pse e kemi thirrë këtë interpelancë është që të kërkojme si Kuvend që Qeveria e Kosovës ta bëjë publike kontraten origjinale me Bektelin. Për ta bërë publike krejt korrespodencën që Qeveria e Kosovës e ka pasur gjatë negociateve me këtë konsorcium”, tha ai.

Visar Ymeri prezentoi edhe disa pika kryesore të mocionit, për interpelancë. Qeveria e Kosovës duhet t’i publikojë edhe rekomandimet dhe këshillat e kompanisë këshilluese, Eversheds, rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare financiare, si dhe procesverbalet e negociatave të qeverisë së Kosovës me konzorciumin Bechtel-Enka.

Ndërkohë kryeministri Hashim Thaçi tha se çështja e autostradës është diskutuar edhe me FMN-ë dhe siguroi se mjetet janë të siguruara tashmë.

Megjithatë, përfaqësues të Vetëvendsojes kërkojnë që për shkak të, siç thonë ata, rrezikut fiskal që i kanoset Kosovës, Qeveria e Kosovës duhet të raportojë çdo tre muaj para Kuvendit të Kosovës për shpenzimet dhe pagesat në lidhje me autostradën, si dhe të prezantojë plane për tre muajt e radhës.