Lajme Shqip Friday, 01 March 2013 17:00

Prishtinë -  Kryeministri ka paralajmëruar se më 4 mars do të shkojë në negociata me Daçiçin.  Kryeministri do të shkojë atje që së bashku me zyrtarë të lartë të shtetit të Serbisë të gjejë një zgjidhje për veriun e Kosovës.

Ky pazar për veriun po ndodh pasi që Kryeministri vazhdimisht që nga viti 2011 ka premtuar se veriu kurrë nuk do të negociohet. Tash vetë ai po iu prin negociatave dhe kompromisit të ardhshëm për veriun e Kosovës. Me 4 mars Kryeministri po shkon në Bruksel me një qëllim të qartë, e ai është negocimi i autonomisë së entitetit territorial serb brenda Republikës së Kosovës. Me 4 mars do të flitet për statusin që do ta ketë Serbia brenda Republikës Kosovës, dhe statusin që do ta kenë strukturat shtetërore të Serbisë brenda vendit tonë. Me fjalë tjera, me 4 mars Kryeministri po shkon në Bruksel që ta shes veriun e Kosovës. Kryeministri tashmë ka thënë se do të krijohet asociacioni i komunave serbe të Kosovës. Kjo nuk është gjë tjetër veçse një emër tjetër për bashkësinë serbe të komunave në Kosovë, të ofruar nga platforma e Serbisë për Kosovën,ka thënë në një konferencë shtyp grupi parlamentar i Vetëvendosje.

Brenda platformës së Serbisë për Kosovën ekziston një e ashtuquajtur bashkësi e komunave serbe. Ne mendojmë që emri i Kryeministrit për këtë asociacion të komunave serbe është një emërtim tjetër për këtë që tashmë po ofrohet prej platformës së Serbisë, e që është krijimi  i bashkësisë së komunave serbe në Kosovë. Sipas kësaj platforme të Serbisë parashihet që ky entitet t’i ketë nëntë komuna, përveç atyre të veriut si Zubin Potoku, Zveçani, Leposaviçi dhe veriun e ndarë prej Mitrovicës, të fusin pra edhe komunat tjera që janë krijuar sipas planit të Ahtisaarit si Graçanica, Parteshi, Ranillugu, Kllokoti dhe Shtërpca.

Kjo nuk do të thotë që veriu i Kosovës dhe këto komuna të pakontrolluara nga Kosova t’i bashkohen planit të Ahtisaarit, por përkundrazi ne po shkojmë kah procesi që këto komuna t’i bashkohen atyre në veri të Kosovës, dhe ta ngrenë statusin e tyre njëjtë siç e ka veriu i Kosovës, në një kontroll total nga shteti i Serbisë. Kryeministri po ashtu doli dhe na tha se ky asociacion që po krijohet tash, na qenka sipas tij në përputhje me planin e Ahtisaarit. Ky është një mashtrim i madh që po i përgatitet popullit dhe qytetarëve të Kosovës. Madje në planin e Ahtisaarit nuk mund ta gjeni askund një asociacion të komunave me bazë territoriale, me bazë etnike, për të cilën ne u dashka që të negociojmë me Serbinë dhe ta krijojmë këtë asociacion në bashkëpunim me Serbinë, e ku do të kishte hise është Serbia e Daçiçit.

Të gjitha këto po tregojnë se procesi po shkon drejt hedhjes në tavolinë të vetë planit të Ahtisaarit.  kur u pat pranuar plani i Ahtisaarit, Qeveria e Kosovës dhe zyrtarë të ndryshëm në atë kohë thonin se plani i Ahtisaarit po pranohet, mirëpo është një kompromis maksimal dhe është koncesioni i fundit që po e bën Kosova. Tash, me vetë faktin se Kryeministri po shkon dhe po e hedh në tavolinë veriun e Kosovës, po tregon që këta janë të gatshëm ta hapin edhe planin e Ahtisaarit, atë që e quanin kompromisin e fundit të dhimbshëm.

Në negociatat e 4 marsit po fillon krijimi i një pushteti të tretë në Kosovës. Në Kosovë janë 2 pushtete, ai qendror dhe ai lokal. Tash, duan ta krijojnë një pushtet me bazë etnike dhe territoriale brenda Kosovës, që ka pushtet më shumë sesa niveli lokal, dhe që nuk i nënshtrohet nivelit qendror. Ky pushtet i tretë do të ishte fatal për sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.(K.N/LajmeShqip.com)