Lajme Shqip Thursday, 30 June 2011 09:03

Tiranë – Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksandër Arvizu, vlerësoi të mërkurën Shqipërinë për kontributin madhështor që po jep me ushtarët e saj në misionin paqeruajtës në Afganistan.

I pranishëm në ceremoninë e përfundimit të trajnimit të përbashkët shqiptaro-amerikan të Grupit Operacional Patronazhi dhe Koordinimi (OMLT-A), që do të niset për në Afganistan (në fillim të muajit korrik 2011), që u zhvillua në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes, Ambasadori Arvizu tha se ndihej krenar dhe i nderuar teksa gjendej përpara dy flamujve të dy kombeve, shqiptar dhe amerikan. “Janë vetëm 28 vende nga mbarë bota, anëtare të NATO-s dhe Shqipëria është një nga dy vendet më të rinj anëtare të saj, që iu bashkangjit aleancës me Kroacinë në vitin 2009″, tha Arvizu.

Megjithatë, theksoi ai, ky mision i përbashkët shqiptaro-amerikan, shënon një arritje shumë të madhe për Shqipërinë, pasi merr rëndësinë e një trajnimi të dyfishtë, po t’i referohemi misionit të OMLT në Afganistan .

“Së bashku me SHBA-në Shqipëria renditet e dyta ndër gjithë partnerët me kontributin e saj me ushtarë, ku ajo do të ketë të dislokuar në Afganistan rreth 350 trupa”, tha Arvizu, duke theksuar se ky është një nga dy misionet që ushtria shqiptare ka realizuar me ushtrinë amerikane dhe që do jetë një mundësi mësimdhënie për forcat shqiptare, por dhe amerikane në Afganistan.

Duke falenderuar Shqipërinë për mbështetjen e saj jo vetëm në Afganistan, por për të gjitha projektet paqeruajtëse, ai i uroj misionit OMLT-ta suksese.

Në ceremoninë e përfundimit të trajnimit të përbashkët të Grupit OMLT-A ishin të pranishëm Kryeministri Sali Berisha, Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, drejtues të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të FA.