Lajme Shqip Thursday, 30 June 2011 20:35

Tiranë – Ambasada e SHBA-së në Tiranë organizoi të enjten pasdite një pritje me rastin e 235 vjetorit të pavarësisë së Amerikës.
Në ceremoninë e organizuar në mjediset e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë, merrnin pjesë zyrtarët më të lartë të shtetit shqiptar, mes të cilëve kryeministri Sali Berisha, kryetari i PS-së, Edi Rama, kandidati fitues i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ish kryeministri Fatos Nano, diplomatë dhe përfaqësues të medias.
Në fjalën e tij, Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, tha se “4 korriku është festa e zbulimit të vlerave amerikane”, ndërsa shprehu vlerësime për  personat që bënë të mundur organizimin e kësaj ceremonie të shkëlqyer.
Duke vënë në dukje se shqiptarët janë një popull që e duan shumë vendin e tyre, Arvizu vlerësoi edhe kontributin që kanë dhënë në rajon.
Ambasadori deklaroi se “SHBA-të, janë dhe do të mbeten gjithmonë mbështetëse e patundur e Shqipërisë dhe e popullit shqiptar”.
Aleksandër Arvizu theksoi se “Amerika është në anën tuaj, ndërsa ju vazhdoni të ndërtoni një shoqëri të fortë, të ndershme dhe të drejtë. Një shoqëri në të cilën potenciali i plotë i Shqipërisë të mund të realizohet, ku aspiratat dhe pritjet e arsyeshme të përmbushen. Ku shpresa është e gjallë dhe ëndrrat bëhen realitet”.