Lajme Shqip Wednesday, 24 April 2013 17:08

KORCE – Ambasadori amerikan Aleksander Arvizu u bën apel palëve politike që të arrijnë një marrëveshje për rikonstituimin e KQZ-së, për të bërë të mundur funksionimin normal të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në përputhje me Kodin Zgjedhor.

Nga Korça, ambasadori amerikan theksoi nevojën e vullnetit politik për të mos humbur kohë, e për të shkuar në zgjedhjet e 23 qershorit me institucione funksionale.

“Këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë. Të gjithë duam që ato të zhvillohen, populli shqiptar meriton që të zhvillohen zgjedhje të mira. Në mënyrë që të kemi zgjedhje të mira duhet të kemi një KQZ funksionale, jo një KQZ të bazuar në maskaradë. Por duhet të jetë rezultat i një marrëveshje politike. Të gjitha pjesët janë në vend. Afati kohor është ora 6 pasdite, ne i dimë se si duken pak a shumë koalicionet, prandaj është e rëndësishme sepse nuk ka mbetur shumë kohë. Sa më shpejt që të dy palët të vijnë së bashku dhe të rikonstituojnë KQZ-në. Prej kësaj do të mund të ndodhë edhe formimi i 89 KZAZ-ve.” u shpreh ambasadori amerikan.

Sipas ambasadorit Arvizu, askush nuk po flet për bojkot të zgjedhjeve, apo proces të vonuar, por situata e krijuar në institucionin kryesor të administrimit të zgjedhjeve duhet të zgjidhet në përputhje me rregullat.

“Është e nevojshme që rregullat të ndiqen, që fatkeqësisht kohët e fundit nuk janë ndjekur por është e rëndësishme që kodi zgjedhor të mund të ndiqet sa më pranë të jetë e mundur. Në fund gjeja më e rëndësishme është vullneti politik, askush nuk po flet për bojkot, askush nuk po flet për zgjedhje të vonuara, por duhet të ketë gjithëpërfshirje, të gjitha pjesët janë në vend”- deklaroi Arvizu.(LajmeShqip.com)