|
|
e Premte, 17 Gusht 2012 14:48 Tiranë – Presidenti i Republikës, Bujar Nishani u takua të premten me Ambasadorin e SHBA-së, Aleksandër Arvizu, i shoqëruar nga zv/shefi i misionit diplomatik, Henry V. Jardine. 
Sipas njoftimit për shtyp nga Presidenca, gjatë takimit ambasadori amerikan garantoi mbështetjen e SHBA-së, për Presidentin Nishani dhe veçanërisht në përpjekjet e Tij për reformimin e sistemit të drejtësisë.
Duke nënvizuar marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe bashkëpunimin e gjatë dhe efiçent në të gjitha fushat, Presidenti Nishani theksoi faktin se SHBA janë miku më i madh i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, si dhe e falenderoi Ambasadorin për gjithë angazhimin dhe bashkëpunimin që kanë ofruar SHBA në zhvillimet e gjithanshme në Shqipëri.
Presidenti i Republikës e garantoi ambasadorin Arvizu për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve, si dhe për kontributin e Tij në forcimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi.
Në përgjigje të interesimit të Ambasadorit Arvizu, Presidenti vuri në dukje se ndër prioritetet e presidencës së Tij do të jenë pavarësia e sistemit gjyqësor dhe rritja e besimit të gjyqtarëve tek sistemi i drejtësisë. Kreu i Shtetit u shpreh më tej, se promovimi i gjyqtarëve do të realizohet duke u bazuar në merita, nëpërmjet një procedure të hapur dhe transparente me kritere të përcaktuara qartë.
Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu i prezantoi Kryetarit të Shtetit zv/ambasadorin amerikan Henry V. Jardine. Z.Arvizu shprehu vlerësimin e tij për zgjedhjen e Presidentit Nishani në krye të shtetit dhe vlerësoi qasjen e Presidentit në lidhje me reformimin e sistemit të drejtësisë dhe fuqizimin e rolit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Ambasadori Arvizu shprehu bindjen se Presidenti Nishani ka personalitetin dhe integritetin e duhur për të garantuar bashkëpunimin harmonik ndërinstitucional bazuar në pavarësinë dhe respektin e ndërsjelltë ndërmjet institucioneve. (LajmeShqip.com)