Lajme Shqip Wednesday, 28 September 2011 13:02

Nëse një ditë më parë kryeministri Sali Berisha, deklaroi se pakti i Edi Ramës me 10 pika ka si qëllim bllokimin e integrimit të mëtejshëm të vendit, nuk është në të njëjtën mendim me të ambasadori i SHBA-së, Aleksandër Arvizu.

Duke folur pas seminarit të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës me të zgjedhurit vendorë, Arvizu tha se propozimi i Ramës ishte një hap inkurajues për nisjen e dialogut mes palëve.

Duke mos preferuar të komentojë pikat e veçanta të draftit, diplomati amerikan vlerësoi se rregullorja e parlamentit është një nga temat më të rëndësishme për nisjen e këtij dialogu.

Arvizu theksoi se nuk duhet humbur më shumë kohë dhe se palët duhet të angazhohen në bashkëpunim seriozë për të përparuar me reformat.

Por ai paralajmëroi se për gjithcka duhet të arrihet konsensus, pasi nëse reformat bëhen me nxitim, atëherë gjërat përkeqësohen.

Ambasadori amerikan apeloi për një sens urgjence, duke u shprehur se politika ka humbur dy vjet kohë në debate të pavlera.