Lajme Shqip Thursday, 29 March 2012 11:00

Prishtinë- “Janë mbi 10 milionë persona që kanë vizituar tashmë Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz”, tha dje ciceroni Rifat Bejta. Vizitorët janë nga të gjitha hapësirat shqiptare dhe bota, shton ai, ndërkohë që mbi kullat legjendë të Jasharëve valëviten dy flamuj kombëtar shqiptarë.

Flamuri kuqezi valëvitet edhe lart në një kodrinë, ku prehen në amshim 60 heronjë e dëshmorë të rënë në epopenë e Jasharëve, Prekazit, Drenicës, Kosovës dhe gjithë shqiptarëve.

Pranë varrezave memorial ngritur me mermer të bardhë qëndojnë në nderim të përhershëm ushtarët e forcës kosovare.

Më 5, 6 e 7 mars 1998, në epopenë e Prekazit, në mbrojtje të pragut të shtëpisë dhe Kosovës, në luftën për liri dhe pavarësi, në përballje me sulmin e egër të forcave serbe, ranë heroikisht 56 anëtarë të familjes Jashari, 20 prej tyre të familjes së ngushtë të komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jashari.

“Liria e përjetshme gjithmonë është në Prekaz”, kanë shkruar sot vizitorët në librin e tyre gjithmonë të hapur dhe me faqe të pafund. Ciceroni tregon se edhe sot kishte qindra vizitorë, ndërkohe që paralajmëroheshin edhe shumë vizita nga shkollat. (LajmeShqip.com)