Lajme Shqip Thursday, 01 May 2014 14:25

Gjykata e Tiranës ka dhënë sot masën arrest me burg për Edison Kajtazin, personi që mori përsipër autorësinë e vrasjes me dy plumba të biznesmenit Aurel Zenka në zonën e “Ali Demit” në Tiranë, para 6 ditësh. 

Ne seancën që zgjati rreth 20 minuta gjyqtari Julian Haxhiu vendosi ta lërë në burg të dyshuarin kryesor si autor të ngjarjes, për akuzën vrasje me paramendim, por çështja në fjalë është ende në hetim. 

Të arrestuar rezultojnë të gjithë personat e grupit me të cilin u konfliktua Zenka dhe miqtë e tij. Ata janë Agron Goxhaj, 36 vjeç, i ndaluar falë një operacioni të specialëve të RENEA-s, Policisë së Tiranës dhe asaj të Durrësit. Artan Hasani, i dënuar më parë për “krimet ndaj jetës” dhe “prodhim për shitje municionesh luftarake”, Enton Sada (Ibrahimi), 41 vjeç, i dënuar më parë për “vrasje me paramendim”, dhe Alket Halitaj, të cilët u gjetën në një banesë në zonën e Durrësit, pranë vendit të njohur si Kali i Trojës. 

“Këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, së bashku me shtetasin Edison Kajtazi, janë bashkëautorë të vrasjes së shtetasit Aurel Zenka. Nga hetimet e kryera dyshohet se motiv i kësaj ngjarjeje është një llogari e pashlyer mes viktimës dhe autorëve”. Nga hetimet e para rezulton se bëhet fjalë për një shumë prej 10 mijë eurosh, që miqtë e viktimës i kishin Goxhajt. Zenka, sipas hetuesve kishte ndërhyrë që të bindte Goxhajn, që t’u shtynte miqve të tij afatin e shlyerjes së borxhit, çka ka çuar në përplasje dhe konflikt. 

Ndaj të gjithë të ndaluarve rëndojnë akuzat e “vrasjes me paramendim”, në bashkëpunim, dhe “mbajtje pa leje të armëve luftarake”./ballkanweb/