Lajme Shqip Tuesday, 27 October 2015 09:24

Me një vendim të lëshuar nga Gjykata e Apelit, i dënuari për krime lufte, Sabit Geci, për tre muajt e ardhshëm do të jetë tërësisht i lirë. Ai nuk është ndaluar të dalë as jashtë Kosovës e madje as të ketë paraqitje publike para medieve. Gjykata vendimin e ka marrë të premten e javës së kaluar, pas ankesës së mbrojtjes, e cila i kishte paraprirë caktimi i masës së arrestit shtëpiak nga Gjykata Themelore në Mitrovicë.

Kjo e fundit i kishte caktuar arrest shtëpiak disa ditë pasi Geci me vendim të zëvendësministrit të Drejtësisë, Lirak Qelaj, më 3 tetor ishte liruar nga burgu me arsyetimin se i duhet trajtim mjekësor. Ndaj këtij vendimi kishte reaguar prokurori i misionit EULEX, Darius Silicki, i cili në ankesën e tij kishte potencuar se Sabit Geci ka qenë i akuzuar në rastin “Drenica” dhe për këtë rast “ende nuk ka vendosur shkalla e dytë”.

Ankesa e Prokurorisë kishte bërë që pavarësisht vendimit të zëvendësministrit Gecit t’i caktohet masa e arrestit shtëpiak, masë e cila është shfuqizuar nga një vendim i Gjykatës së Apelit, përkatësisht nga një panel i gjyqtarëve i përbërë nga dy gjykatës ndërkombëtarë dhe një vendor.

Mbrojtja e Sabit Gecit, avokati Haxhi Millaku, ka bërë me dije se klienti i tij është liruar ngase i nevojitet trajtim mjekësor jashtë vendit dhe sipas Millakut, klienti i tij tashmë i ka kryer disa analiza në një spital në Shqipëri dhe është në pritje të rezultatit të tyre. /Zëri/