Lajme Shqip Wednesday, 04 November 2015 09:00

Organizata e OKB-së për kulturë dhe shkencë do të takohet këtë muaj në Paris, ndërsa pranimi i Kosovës është në agjendë. Një prej aduteve kryesore të Kosovës është premtimi se do të mbrojnë trashëgiminë kulturore serbe. Kjo është një çështje e komplikuar pasi që guerilët shqiptarë luftuan me ushtrinë serbe në luftën e tyre për pavarësi më 1998-1999.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hasim Thaçi, i ka bërë thirrje Serbisë që të mbështes kërkesën e Kosovës për në UNESCO dhe “të shikojë kah një e ardhme e paqes, e pajtimit dhe respektimit të vlerave kulturore historike”.

“Anëtarësimi i Kosovës në UNESCO do të mbrojë më mirë dhe do të rikonfirmojë trashëgiminë kulturore dhe historike serbe”, ka thënë ai për “The Associated Press”, transmeton Koha.net.

Ndërkaq, Ati Sava Janjiq, lider i serbëve ortodoksë të Kosovës, është kundër Kosovës në UNESCO. Ai përmend kishat dhe objektet tjera serbe që u shkatërruan gjatë trazuirave të vitit 2004, ndërsa shton se legjislacioni i Kosovës nuk ofron garanci që prona e tyre, apo identiteti i tyre, nuk do të mbrohet sa duhet.

Liderët e Kosovës, kundërshtimet e Beogradit ndaj anëtarësimit të Kosovës në UNESCO i konsiderojnë “të pamatura, të motivuara politikisht… agresive”.

“Të mundohemi së bashku t’i tejkalojmë dallimet, të mos përdorim gjuhë që do të krijonte ndarje edhe më të mëdha këtu në Ballkan”, ka thënë zëvendësministri i Jashtëm, Petrit Selimi.