Lajme Shqip Sunday, 27 September 2015 11:19

Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë ka ngjallur jo pak debat në politikën e Kosovës por edhe mjaft panik e paqartësi tek qytetarët. Megjithatë analistët dhe ekspertët nuk shohin asnjë rrezik dhe frikë në këtë marrëveshje, për aq kohë sa nga pikëpamja konstitucionale, nga pikëpamja kushtetuese, kompetencat e asociacionit janë të kufizuara, nuk pengojnë zhvillimin institucional të Kosovës dhe madje nuk dalin përtej parashikimeve të planit Ahtisari.

Kështu në një intervistë për KosovaPress-in e analizon Asociacionin e komunave eksperti dhe studiuesi i çështjeve të rajonit Enver Bytyçi, aktualisht drejtor ekzekutiv i Institutit të Evropës Juglindore. Ai thotë se aspektet kryesore të kësaj marrëveshje janë autonomia në fushën e arsimit; të kulturës dhe të shëndetësisë, autonomia e administrimit financiar të këtij asociacioni; bashkëvendimmarrja me institucionet e Kosovës, sa i përket pranisë së policisë dhe të gjykatave, ku për të dy palët parashikohen kompetenca të caktuara.

“Kohët e fundit është bërë një debat shumë i madh lidhur me këtë marrëveshje. Marrëveshja e fundit besoj në përgjithësi i përmbahet kushteve dhe detyrimeve të marrëveshjes së 19 prillit të vitit 2 013. Është një marrëveshje e cila ka evituar kompetencat ekzekutive të këtij asociacioni. Natyrisht tingëllon disi jo mirë për popullatën shqiptare në Kosovë, fakti që ky asociacion do të ketë një president, do të ketë një këshill, por gjithsesi çdo organizatë qeveritare mund të ketë president dhe emri president nuk duhet të trembë askënd. E rëndësishme është kompetencat që ka asociacioni dhe këshilltarët e komunave që do të përbëjnë këtë këshill të asociacionit të komunave serbe në veri të Kosovës. Për mendimin tim kompetencat e tyre janë deri diku të kufizuara, por ka edhe kompetenca evazive të cilat mund të shfrytëzohen në kushte dhe rrethana të favorshme për Serbinë që të bëjnë presion mbi shtetin e Kosovës, mbi institucionet e Kosovës, krijojnë një avantazh të tillë për Serbinë dhe serbët në Kosovë, pra në këtë aspekt duhet të jemi shumë të sinqertë. Por duke qenë se nga pikëpamja konstitucionale , nga pikëpamja kushtetuese, kompetencat e asociacionit, nuk pengojnë zhvillimin institucional të Kosovës dhe madje nuk dalin përtej parashikimeve të planit Ahtisari, zhurma dhe beteja e madhe që zhvillohet sot në Kosovë lidhur me këtë çështje për mua është deri diku e pakuptimtë”, tha Enver Bytyçi, lidhur me asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Bytyçi i dënon sjelljet e opozitës të shfaqura së fundmi në Parlamentin e Kosovës, duke theksuar se dëmtojnë imazhin e Kosovës, dhe i prezantojnë shqiptarët në sytë e botës si të paaftë për të bërë shtet; e për të bashkëpunuar për të ardhmen e vendit të tyre.

“Sigurisht që ngjarje të tilla siç ndodhën në Parlament para pak ditësh, me sjelljen e opozitës dhe të Vetëvendosjes kundrejt Kryeministrit të Kosovës Mustafa e dëmtojnë imazhin e Kosovës, por më shumë imazhi i Kosovës dëmtohet me akte të tjera dhune siç ishte ajo e vendosjes së gjembave për të shpuar gomat e Kryeministrit ose sulmet e tjera kundër institucioneve të Kosovës, Parlamentit zyrave të qeverisë e kështu me radhë. Ndonjë ditë do të shkojnë të gjuajnë edhe zyrat e Presidentes Jahjaga. Këto veprime për mendimin tim, jo vetëm e dëmtojnë imazhin e Kosovës por rikthejnë në vëmendjen e propagandës serbe, atë që ata për 100 vjet e kanë propaganduar se shqiptarët nuk janë të aftë të bëjnë shtet, nuk janë të aftë të bashkëpunojnë, nuk janë të aftë të merren vesh; nuk janë të aftë të ndërtojnë një konsensus politik për zhvillimin e vendit të tyre”, thotë Bytyçi.

Edhe zhurmnaja që po krijon opozita për çështjen e asociacionit është e pabazë, sidomos tani kur marrëveshja ka marrë jetë. Opozita nëse kishte kundërshtime, thotë Bytyçi, duhet të kishte dalë më herët dhe të prezantonte një draft-alternativë përballë qeverisë dhe të tregonte se ku çalon marrëveshja dhe çfarë duhet ndryshuar.

“Në perceptimin tim opozita duhet të ketë alternativë më shumë. Nëse opozita vërtet është e vendosur për marrëveshjen e asociacionit të komunave serbe në veri të Kosovës atëherë do të duhej që në periudhën e diskutimit, për firmosjen e kësaj marrëveshjeje të kishte paraqitur një draft të saj; të kishte thënë që ky draft që ju keni ka këto problematika të cilat ne i gjykojmë si të dëmshme për shtetin e Kosovës, për funksionimin e këtij shteti dhe për institucionet e tij, prandaj ne mendojmë që kryeministri në detyrë; kryeministri Mustafa dhe qeveria e tij; parlamenti njëkohësisht të marrin parasysh draftin tonë i cili është ky. Kështu bëhet lufta politike dhe kështu duhet të bëhet edhe në Shqipëri edhe në Kosovë ndërsa mbas Kuvendit është një fjalë e urtë popullore nuk duhen mend. Mbas nënshkrimit të marrëveshjes ata mund ta ndezin Kosovën në flakë por marrëveshja është nënshkruar, është një marrëveshje ndërkombëtare, nuk mund ta ndryshojë asgjë”, thotë Enver Bytyçi.

Ai thekson më tej se opozita në Kosovë po e përdor politikisht situatën, marrëveshjen e asociacionit, por nuk duhet që inatet personale që opozita e sotme ka me kryeministrin e Kosovës të shtrihen deri tek dëmtimi i interesave të vendit.

“U në besoj se opozita po e përdor politikisht situatën. Nuk jam përkrahës gjithnjë i vendimeve të qeverisë së Kosovës, por përdorimi politik i çështjeve shumë sensibile për opinionin e Kosovës, për qytetarët e Kosovës, vetëm sa e dëmton çështjen, kauzën, dhe shtetndërtimin dhe shtetformimin në Kosovë. Unë nuk besoj që inatet personale që opozita e sotme ka me kryeministrin e Kosovës duhet të shtrihen deri tek dëmtimi i interesave të vendit. Duhet të kemi parasysh se Kosova sot nuk e ka atë situatë të favorshme që e kishte në vitin 1998-1999. Serbia sot është në avantazh në raport me Kosovën, sa i përket përpunimit të opinionit ndërkombëtar. Kosova është në disavantazh. Sa më shumë kohë të kaloj aq më shumë Serbia do të zgjerojë hapësirat e veta në intervenimin e saj kundër Kosovës, ndërsa Kosovës do ti ngushtohen këto hapësira për shkak se Kosova nuk ka dëshmuar deri më sot një vullnet të hekurt dhe një për kushtim të plotë sa i përket ndërtimit të shtetit, funksionimit të shtetit”, tha Enver Bytyçi.

Lidhur me idenë e krijimit të një asociacioni të ngjashëm edhe për komunat shqiptare në Serbi, Bytyçi thotë se nuk është momenti, pasi një veprim i tillë do të nxiste diskutimin e këmbimit të territorit me Kosovën. Ajo çka duhet të bëjnë shqiptarët në Luginën e Preshevës, sipas tij, është që të kërkojnë fort të drejtat e tyre ekonomike dhe sociale, dhe të mos largohen nga vendi i tyre, pasi duke ikur, vendi mbetet bosh e asgjë nuk përmirësohet.

“Një asociacion i shqiptarëve në Luginën e Preshevës për momentin gjykoj që nuk i shërben çështjes shqiptare për arsye se një asociacion i shqiptarëve në Serbi do të nxiste diskutimin e këmbimit të territorit me Kosovën. Këmbimi i territoreve me Kosovën është i dëmshëm për Kosovën dhe për Shqipërinë. Në fund të fundit nëse i referohem një analisti të shquar Patrik More ai thotë se; Serbia nuk e ka problem Kosovën, as manastiret e Kosovës, problemi i Serbisë janë pasuritë e veriut të Kosovës. Në këtë kuptim unë do të thosha që humbësit më të mëdhenj në këmbimin e territoreve me Serbinë do të ishin shqiptarët. Për mendimin tim shqiptarët në Luginën e Preshevës duhet të këmbëngulin fort në të drejtat për zhvillimin ekonomik, për autonomi ekonomike, sociale, në shëndetësi, dhe për fonde dhe zhvillim të vazhdueshëm në këto fusha. Të kenë mundësi të jetojnë mirë, të mos detyrohen të largohen nga trojet e tyre. Ky është problemi më i madh në Luginën e Preshevës; është emigrimi dhe lënia e territorit bosh”, tha Enver Bytyçi lidhur me mundësinë e krijimit të një bashkësie në komunat shqiptare në Serbi.