Lajme Shqip e Diel, 29 Korrik 2012 13:13

Prishtinë – Qeveria e Kosovës, përfundimisht do të futet në bisedime me atë të Serbisë, ndërsa veriu i vendit do të jetë tema kryesore që do të trajtohet gjatë këtij procesi.

Kështu thonë analistët politikë dhe anëtarët e partive opozitare në Kosovë, të cilët besojnë se Prishtina zyrtare ka rënë në “grackën” e Beogradit karshi bisedimeve.

Kryeministri i sapozgjedhur i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se do të zbatohen të gjitha marrëveshjet e deritashme që kanë dalë nga bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

“Qeveria e Serbisë do normalizimin e jetës së të gjithë qytetarëve në territorin e Kosovës.

Është e nevojshme që të zbatohen të gjitha ato, për të cilat është rënë dakord në dialogun teknik me Prishtinën, si dhe të vazhdojë dialogu në nivel politik, me pjesëmarrjen e zyrtarëve më të lartë shtetërorë”, ka thënë ai.

Pikërisht kjo deklaratë nga analistët dhe opozitarët shihet si njëra nga “lojërat” që Beogradi zyrtar i bën për ta futur Kosovën në bisedimet e ardhshme, ku të paktën nga serbët ekziston disponimi që të bisedohet për veriun. (LajmeShqip.com)