Lajme Shqip Saturday, 30 November 2013 23:50

Preshevë- Televizioni “A1 Report” publikoi ditën e sotme dokumentin zyrtar që tregon se ish-ambasadori i Shqipërisë nëBeograd, ka firmosur për heqjen e simboleve kombëtare nga tekstet në gjuhën shqipe në Luginën e Preshevës.

Bëhet fjalë për një shkresë zyrtare të Ambasadës së Shqipërisë në Beograd që mban datën 3 prill 2011, e nënshkruar nga vetë ish-ambasadori shqiptar Shpëtim Çaushi.

Dokumenti u bë publik nga Galip Beqiri, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës dhe Prof. Dr. Sulejman Abazi, të ftuar në “A1 Report” për të folur mbi protestat e ditëve të fundit në Luginë.

Mijëra shqiptarë dolën në protestë më 28 nëntor, duke kërkuar të respektohet e drejta e tyre për të përdorur simbolet kombëtare.

Shkresa i drejtohet Këshillit Nacional në Luginën e Preshevës, Milan Markovicit, ish ministër për të Drejtat e Pakicave në administratën shtetërore dhe vetëqeverisjen lokale, si dhe shefit të atëhershëm të OSBE-së nëBeograd, Dimitrios Kyprios.

“Kemi nderin të ju lajmërojmë se organet kompetente shqiptare janë dakord me vërejtjet e shprehura se Abetarja dhe Fletorja e Punës do reprodukohen (modifikohen), duke mënjanuar simbolet nacionale-shtetërore”, thuhet në këtë document.

Gjatë bisedës në studio, Abazi tha se pikërisht ky vendim për të cilin ka dhënë pëlqimin edhe Tirana zyrtare përmes ambasadorit Çaushi, i jep mundësinë Beogradit të ndalojë hyrjen e teksteve shqipe në Luginë.

Në fillim të tetorit të këtij viti gjashtëmijë tekste shkollore në gjuhën shqip u bllokuan nga autoritetet serbe në fshatin Raincë të Preshevës, çka nxiti edhe reagimin e banorëve të Luginës.

Galip Beqiri i cili rezulton se ka qenë pikërisht ai që ka pranuar këtë vendim të qeverisë së Serbisë, e pranoi ekzistencën e dokumentit, por duke thënë se bëhet fjalë për modifikim të simboleve kombëtare dhe jo heqjen e tyre.

Në tetor të vitit 2011, mediat në Luginën e Preshevës raportuan lajmin se ambasadori i atëhershëm i Republikës së Shqipërisë i akredituar në Beograd, Shpëtim Çaushi, kishte dhënë pëlqimin që Abetarja dhe fletorja punuese të modifikoheshin, duke larguar simbolet kombëtare çka ngjalli protesta nga shqiptarët në Luginë.

 

VIDEO: http://www.youtube.com/watch?v=3mBGOG4ADrw