Lajme Shqip Tuesday, 21 July 2015 18:20

Ambasadori i Norvegjisë në Kosovë dhe Shqipëri Jan Braathu ka thënë se themelimi i Gjykatës Speciale është një realitet i pashmangshëm. Ai ka theksuar se Gjykata nuk është kundër UÇK-së e as Gjykatë etnike.

Më poshtë mund të lexoni një pjesë të intervistës së Braathu që është publikuar në Balkanweb.

A e mbështesni miratimin e Gjykatës Speciale në Kosovë dhe nëse po, cilat janë argumentet tuaja në favor të saj?

Patjetër që e mbështes. Gjykata Speciale është një realitet i pashmangshëm për Kosovën. Tani themelimi i saj po vonohet nga parlamenti i Kosovës, i cili nuk miratoi amendamentin kushtetues nr:24. Kjo ishte për të ardhur keq, sepse e ka dëmtuar shumë kredibilitetin e Kosovës. Ne duhet të kuptojmë se Gjykata Speciale nuk është kundër kosovarëve ose kundër përpjekjeve për pavarësi të Kosovës. Nuk është kundër UÇK-së si një organizatë. Gjykata Speciale nuk është një gjykatë etnike. Ajo do të trajtojë aludimet për krime, të bëra nga individët. Kështu duhet ta shohim këtë gjë. Më dëshpëron fakti që disa në Kosovë nuk e kanë kuptuar këtë fakt. E gjithë kjo ka të bëjë me drejtësinë, t’u japësh drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre. Drejtësia nuk ka të bëjë me etnicitetin, por ka të bëjë me veprimet. Këto aludime duhet të provohen. Mendoj se kjo është një çështje e vështirë, por disa njerëz po e bëjnë atë akoma më të vështirë. Në fund të fundit, pavarësia e Kosovës është projekti ynë gjithashtu. Ne duam që Kosova të bëhet një komb i suksesshëm dhe kjo është rruga. Ne jemi miqtë e Kosovës, jo armiqtë e saj.