Lajme Shqip Thursday, 22 October 2015 12:40

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie theksoi mbështetjen e vazhdueshme Amerikës për shtetin e Kosovës, por sipas tij, veprimet e fundit që kanë ndodhur në Kuvend dhe jashtë tij, janë duke e dëmtuar imazhin e Kosovës. Ai këtë e tha pas një takimi të zhvilluar në Kuvend, me kryetarin Kadri Veseli.

Delawie vlerësoi se është shumë e rëndësishme që Kuvendi nesër të vazhdojë seancën, pasi siç pranoi ambasadori Delawie, njerëzit në gjithë botën, qeveritë e tyre dhe investitorët janë duke parë skenare të dhunës dhe kjo sipas tij nuk është një gjë e mirë për Kosovën.

“Unë jam këtu për të shprehur përkrahjen time për Parlamentin e Kosovës. Ne kemi biseduar se sa e rëndësishme është për Kuvendin që të mbajë seancë nesër, në mënyrë që të miratohen ligje që janë të rëndësishme për mirëqenien e qytetarëve të Kosovës”.

Delawie tha se ka një mesazh për deputetët që kanë përdorur dhunë në Kuvend.

“Duhet të them se njerëz nga mbarë bota, janë duke parë në televizor imazhe të dhunës dhe kaosit në institucionet më të rëndësishme dhe demokratike të Kosovës”.

“Kjo nuk është gjë e mirë për Kosovën”.

“Për ata njerëz që sjellin  armë në Kuvendin e Kosovës dhe i përdorin kundër kolegëve të tyre, unë kam një mesazh: Ju po e lëndoni ekonominë e Kosovës, ju po vëni po rrezikoni që Kosova të izolohet nga komuniteti euro-atlantik, ju po vëni në rrezik shanset e Kosovës për liberalizmin e vizave, ju po i vononi shanset e Kosovës për njohje të reja”.

“SHBA beson se të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë të barabartë para ligjit dhe duhet të trajtohen të barabartë para ligjit”, shtoi më tej Delawie në konferencën për media pas takimit që pati me kreyparlamentarin Kadri Veseli, raporton lajmi.net.

Ai theksoi përsëri se SHBA ka për qëllim ta ndihmojë Kosovën që të bëhet pjesë e BE-së.

Ndërsa, kryetari Veseli ka thënë se është shqetësim i madh situata aktuale, për shkak të bllokimit të punës së Kuvendit të Kosovës, nga ana e opozitës.

Ai u ka bërë thirrje deputetëve të opozitës që të kthehen në Kuvend dhe që së bashku të punojnë për të mirën e vendit.

Kuvendi sipas Veselit nuk është fajtorë për marrëveshjet dhe se nga ky institucion nuk do të prodhohen skenarë që destabilizojnë vendin.

“Unë dëshirojë të sigurojë ambasadorin e SHBA-së dhe ët gjithë ju se Kosova do të jetë storie e suksesit, se investimi i partnerëve tanë, vecanërisht SHBA në ndërtimin e shtetit të Kosovës dhe demokracinë kosovare ka qenë i drejtë dhe Kosova do të jetë storie e suksesit, një shtet ligjor, stabil, një shtet i zhvilluar ekonomikisht”.

“Dëshirojë të përçojë këtë mesazh: Parlamenti nuk është vend ku duhet të ketë bllokadë, Parlamenti është vendi ku ne duhet të komunikojmë bashkëarisht”.

“Edhe njëherë i thërras kolegët opozitar, të vijnë në Parlament të shprehin qëndrimet e tyre lirshëm”.

“Asnjëherë nuk do të ndodhë asnjë skenar i konfliktit apo destabilizimit nga Kuvendi i Kosovës. Janë njerëz të dobët, të pasjellshëm, janë njerëz që nuk e duan këtë vend, ata të cilët krijojnë situata dobësie dhe konflikti në Kuvendin e Kosovës”, tha kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli./lajmi.net