Lajme Shqip Sunday, 05 June 2011 11:56

Tiranë – Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Alexander Arvizu dhe Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian, Ambasadori Ettore Sequi, përmes një deklarate të përbashkët i kërkuan te dielën klasës politike shqiptare të veprojë pas këtij vendimi, në mënyrë të qetë e të përmbajtur, duke vënë interesin kombëtar para atij vetjak.

“U njohëm me vendimin e Kolegjit Zgjedhor shqiptar, si organi më i lartë ligjor që gjykon apelimet zgjedhore. Është thelbësore që të gjitha palët të veprojnë pas këtij vendimi, në mënyrë të qetë, të pjekur e të përmbajtur, duke vënë interesin kombëtar përpara çdo lloj interesi partizan vetjak”, thuhet në deklaratën e ndërkombëtarëve të pranishëm në Tiranë.

Po aq e rëndësishme, thuhet më tej në deklaratë, është që të gjitha palët, partitë politike dhe qytetarët, të presin derisa rezultetet përfundimtare të këtyre zgjedhjeve të certifikohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, siç kërkohet nga legjislacioni shqiptar.

“Ne besojmë se më 8 maj, qytetarët e Shqipërisë votuan për kandidatët e zgjedhur prej tyre. Ky zë tashmë duhet të dëgjohet dhe të respektohet nga të gjitha partitë politike”, nënvizohet më tej.

Në deklaratë, ambasadorët janë shprehur se “ne do të ndjekim nga afër përmbylljen e procesit zgjedhor dhe shpalljen e rezultateve përfundimtare, si dhe vlerësimin e procesit nga misioni i vëzhgimit të zgjedhjeve i OSBE/ODIHR-it, duke pasur parasysh shqetësimet e ngritura në deklaratat tona të mëparshme”.