Lajme Shqip Friday, 16 August 2013 13:01

Shkup – Lideri i shqiptarëve në Maqedoni, Ali Ahmeti, po bëhet gazi i botës. E kjo fatkeqësisht nuk është hera e parë, e me gjasë nuk do të jetë as e fundit!
Rasti i parë u shënua më 28.02.2006, atëherë ku z. Ahmeti pretendoi se Pentagoni ngriti flamurin amerikan për nder të tij.
Asokohe, “Dnevnik” fillonte artikullin me titull “Ahmeti e ka valëvitur flamurin në Pentagon”?, ndërsa artikulli fillonte me deklarimin e Bashkimit Demokratik për Integrim që pretendonte se flamuri në Pentagon ishte ngritur për nder të kryetarit Ali Ahmeti.
Ndërsa hera e dytë, ndodhi pikërisht më 13.08.2013, kur BDI e lansoi lajmin e ngritjes së flamurit amerikan në Capitol Hill sërish për “nder” të Ali Ahmetit njofton Almakos.
Bashkimi Demokratik për Integrim plasoi në media lajmin se “Flamuri amerikan ngritët në Capitoll Hill për nder të Ahmetit”. Ishin siguruar fotografi nga ceremonia zyrtare e valimit të flamurit kombëtar amerikan mbi Capitoll Hill në Washington DC për nder të Kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, që u bë më 13 gusht, me rastin e përvjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes paqësore të Ohrit.
Gafa e parë u demantua shpejt nga disa media që ironizuan me pyetjen se mos vallë Ali Ahmeti e ka marrë me vete flamurin. Madje, edhe vetë ambasada e SHBA-ve e kishte demantuar një lajm të tillë.
Mirëpo, kjo nuk mjaftoi që ta mbush me mend hierarkinë e BDI-së, ata vijuan me mashtrimin e radhës dhe keqpërdorimin e shtetit amerikan duke pretenduar se në Capitol Hill, Washington DC sërish u ngrit flamuri për nder të kryetarit Ahmeti.
Vlen të sqarojmë se në të dyja rastet flamuri amerikan vendoset për nder të çdo qytetari që mund të bëjë një pagesë modeste dhe se deri më tani, flamuri në këto vende është ngritur për nder të mbi 100.000 personave, e ndër të cilët është edhe lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, z.Ali Ahmeti. Pra, kushti i vetëm për këtë “nder” është të paguash.
Pas hulumtimit që Almakos i bëri këtij programi në faqet publike arritëm deri tek konstatimi se bëhet fjalë për një program publik ku kërkesë për ta ngritur flamurin mund të bëjë çdo qytetar amerikan, i cili kundrejt një shume të caktuar merr flamurin që është ngrit bashkë me certifikatën ku shënohet identiteti i personit në emër të të cilit është bërë kërkesa që të ngritet flamuri. Madje, ka ndodhur që vetëm brenda një dite të vetme të ngriten 300 flamuj përmes këtyre shërbimeve me pagesë.
E kontaktuar, ambasada e SHBA-së ka preferuar që mos të komentojë asgjë.