Lajme Shqip Tuesday, 07 June 2011 08:37

Shkup, Tetovë – Kreu i BDI-së në Maqedoni Ali Ahmeti ka hedhur poshtë deklaratat e kreut të PDSH-së Menduh Thaçi se ka pasur presione te votuesit.

Në një intervistë ekskluzive për “Ora News” Ahmeti i ka cilësuar këto deklarata si shpifje. Ai gjithashtu ka theksuar se BDI-ja mbetet e hapur për të bërë koalicion paszgjedhor me çdo parti politike, ndërsa ka shtuar se kjo forcë politike nuk është përjashtuese por do të bisedojë me çdo parti politike dhe më pas do të jenë strukturat drejtuese të partisë që do të vendosin për koalicionet.

“Ju jeni dëshmitar të një fitore të madhe të BDI-së, një fitore të madhe të shqiptare e cila u arrit në mënyrë demokratike, pa incidente, pa presion dhe pa dhunë. Ne kemi treguar një kulturë të madhe demokratike e cila është fitore e të gjithë neve”, ka thënë kreu i BDI-së, Ali Ahmeti në një prononcim për mediat.

Ai theksoi se fitorja u takon të gjithë shqiptarëve, sepse ata dëshmuan se dinë të votojnë sipas standardeve të vendeve më demokratike të Bashkimit Evropian (BE). ”Fitorja jonë e madhe nuk është privilegj, por është përgjegjësi shumë e madhe për të jetësuar, për t’u dalë zot të gjitha atyre projekteve, të cilat BDI i ka paraqitur në platformën e vet”, ka thënë Ahmeti.

Jam shumë i sigurt, vazhdoi Ahmeti, se BDI-ja me kuadrin që disponon, do të arrij të dal faqebardhë para atyre që na besuan votën. “Ky besim nuk është i vogël, ngase kalon mbi 60 për qind të elektoratit shqiptar”, ka shtuar Ahmeti.

Ndërkohë, lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi ka fajësuar partitë e vogla politike shqiptare për përçarjen e votës tek elektorati shqiptar. Ai këtë e bëri të ditur në një konferencë me gazetarët një ditë pas zgjedhjeve, duke konfirmuar se PDSH-së ka fituar në këto zgjedhje 8 mandate deputetësh. Kreu i PDSH-së ka fajësuar se partitë e vogla shkaktuar humbjen e katër mandateve të deputetëve dhe se këto mandate sipas tij, i takonin PDSH-së.

“Unë mbaj një pjesë të përgjegjësisë për copëtimin e votës opozitare, por këta opozitar që pësuan fiasko dhe parandaluan fitoren e partisë më të madhe opozitare shqiptare kanë përgjegjësi më të madhe. Unë gjithë votuesve që mbështetën këtë platformë solemnisht u premtoj se vota e tyre në asnjë sekondë nuk do të bëhet pjesë e pazareve qeveritare, qoftë për qeveri të majta -djathta apo të integrimit, por vetëm për arritjen e statusit që parasheh platforma e PDSH-së”, ka thënë lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi, i cili uroi oponentin e tij politik Ali Ahmeti për fitoren në zgjedhjet parlamentare.

Sipas tij, PDSH në njësinë e 6 zgjedhore ka fituar 39 mijë vota derisa tri partitë e vogla shqiptare sipas tij, bashkërisht kanë fituar 26 mijë vota. “PDSH bashkërisht me këto parti do të kishte 12 deputetë, ndërsa BDI 5 deputetë dhe këtu do të përfundonim”, ka thënë Thaçi.

Ndryshe, lideri i Rilindjes Demokratike Kombëtare (RDK), Rufi Osmani të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, e posaçërisht popullin shqiptar që në këto zgjedhje treguan vetëdije të lartë duke u bërë pjesë e zgjedhjeve korrekte dhe demokratike. Ndonëse lideri i RDK-së procesin zgjedhor dhe numërimin e votave e vlerëson si korrekt dhe demokratik, megjithatë konstaton se gjatë fushatës zgjedhore është bërë një trysni e madhe ndaj elektoratit, shantazhime, premtime të rrejshme dhe blerje masive e votave.