Lajme Shqip Monday, 22 April 2013 13:00

TIRANE – Partia Socialiste ka përfshirë në koalicionin e saj edhe PBDNJ-në e Vangjel Dules. Palët firmosën në selinë e PS marrëveshjen e koalicionit ndërsa rreth orës 11:40 të dy kryetarët, Rama dhe Dule dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp ku shprehën kënaqësinë e këtij bashkëpunimi mes dy partive.

Rama u shpreh se për marrëdhëniet e PS me PBDNJ, flet vetë tradita e miqësisë. Rama shtoi se koalicioni do të quhet, “Aleanca për Shqipërinë Europiane”.
“Nuk besoj se ka nevojë për shumë fjalë për afrimitetin bashkëpunimin dhe objektivat afatgjatë të vizionit të një Shqipërie që e kemi tërësisht të përbashkët, si një Shqipëri europiane në raportet tona me Partinë e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut, flet tradita e një fqinjësie të mirë, e një marrëdhënie të mirë e mbështetur tek reciprociteti. Jam i kënaqur që me mikun tim Dule të hyjmë së bashkë në koalicionin ‘Aleanca për Shqipërinë Europiane”.

Edhe Dule përdori fjalët më të përzgjedhura në bashkëpunimin me PS. Sipas kreut të PBDNJ, ka ardhur koha për rrotacion politik me qëllimin e vetëm, sic tha ai, t’i hapet rruga perspektivës europiane.
“Jemi sot në konkludim për bashkëpunim me PS. Bashkëpunimi tynë nuk është bashkëpunim që ka filluar rishtazi,. Është prej vitesh dhe kjo na bën më të sigurt, se njohim mirë njëri-tjetrin si forca politike, pikat e përbashkëta sikurse dhe vështirësitë që kemi pasur në të shkuarën. Pas  vitesh ne opozitë është momenti të realizohet rrotacioni i shumëdëshiruar. Jo si qëllim në vetvete, por për t’i hapur vendin perspektivës në familjen europiane. Ky bashkëpunim do ketë kontributin qoftë dhe sa më të vogël”. 

“Faleminderit, zgjerimi i koalicionit vijon!”, ishte nderhyrja e Rames ne fund te konferences per shtyp

Mediat: PS, aleance dhe me AK
Sot pritet të zyrtarizohet marrëveshja mes dy partive. Mësohet se PS ka pranuar që t’i japë një deputet PBDNJ-së në një vend të sigurt në listat e saj, ndërsa partia e Dules do të tërhiqet nga anëtari i KQZ-së dhe ai në ZAZ-të, duke ia lënë LSI-së së Ilir Metës. 

PS do t’i japë komisionerë PBDNJ-së në ato zona ku ajo ka vota, si qarku i Vlorës, Gjirokastrës dhe Korçës. Në funksion të bashkëpunimit me PS ishte dhe dorëheqja e anëtarit të PBDNJ-së, Jani Jani nga KQZ, i cili kishte vendosur dy ditë më parë një raport të ngrirë me këtë institucion. Burime nga PS pohuan dje se është shumë pranë një bashkëpunimi parazgjedhor dhe me Aleancën Kuq e Zi të Kreshnik Spahiut, shkruan e perditshmja Panorama. Nuk dihen ende kushtet e pranuara nga PS, pasi Spahiu i kishte kërkuar Ramës pesë vende në listat për deputetë të socialistëve. 

Duket se socialistët kanë mundur të bashkojnë në një koalicion PBDNJ-në dhe AK, dy parti që qëndrojnë shumë larg njëra-tjetrës, për shkak të qëndrimeve nacionaliste të Spahiut kundër vendit fqinj, Greqisë. Por ajo që dihet, është se PS do të nënshkruajë marrëveshje të veçanta me secilën nga këto dy parti, duke mos i përfshirë në tryezën e madhe të koalicionit opozitar. Sot, kreu i PS do të zyrtarizojë bashkëpunimin parazgjedhor me Ilir Metën. Firmat do të hidhen sot pasdite në qytetin e Shkodrës, gjatë një aktiviteti rajonal ku do të marrin pjesë dhe shumë drejtues të socialistëve europianë. 

Firmosja e marrëveshjes së bashkëpunimit do të jetë simbolike në prani të socialistëve europianë, edhe për shkak të angazhimit të tyre në afrimin e dy forcave të majta shqiptare. Ende mbetet i paqartë pozicioni i dy partive tradicionale aleate të PS-së, PSD-së të Skënder Gjinushit dhe PDS-së së Paskal Milos. Vetë Milo është shprehur dje se pret një përgjigje nga kreu socialist. Milo e Gjinushi i kanë kërkuar Ramës që të jenë pjesë e listës së PS për deputetë, por dhe pjesë e kabinetit qeveritar. Ata munguan në firmosjen e 28 partive të koalicionit opozitar tri ditë më parë.(LajmeShqip.com)