Lajme Shqip Friday, 10 February 2012 00:28

Prishtinë – Pas një deklarate të ambasadorit gjerman në Kosovë, me të cilën fushata e Lëvizes Vetëvendosje për Kosovën Republikë është quajtur nga ai si kopsht fëmijësh, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti deklaratën e ambasadorit gjerman e ka quajtur joserioze dhe etiketuese.

“Deklaratat e ambasadorit gjerman janë joserioze dhe etiketuese. Së pari, nuk është brenda përshkrimit të punës së një ambasadori të japë deklarata të tilla lidhur me një subjekt politik në Kosovë e aq më pak të interferojë në çështjet që janë pjesë e debatit politik në Kosovë. Përveç kësaj, deklarata e ambasadorit është e pasaktë edhe sa i përket përfaqësimit të Kosovës në konferencat rajonale”, tha Kurti në një intervistë për Express.mk.

Sipas tij, krahasimet që janë bërë në deklaratën e tij midis Gjermanisë dhe Kosovës nuk qëndrojnë sepse Gjermania dhe Kosova janë kontekste të ndryshme.

“Gjermania është anëtare e OKB – së e nuk i mohohet shtetësia nga askush, ndërkaq Kosovës i janë imponuar negociata dhe po tentohet t’i hiqet mbishkrimi “Republikë” pikërisht për shkak të Serbisë, prej të cilës edhe jemi pavarësuar”, vlerësoi Kurti.