Lajme Shqip Thursday, 12 January 2012 18:42

Prishtinë- Udhëheqësi i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti ka paralajmëruar se aksioni për bllokimin e pikave kufitare me Serbinë më 14 janar do të jetë paqësor. Por, ka vlerësuar ai, “me këtë do ta tronditim Serbinë”.

Në një tubim që ka mbajtur me qytetarë në sallën e kinemasë në Podujevë, Kurti ka thënë se Beogradin e ka kapur paniku për aksionin e “Vetëvendosjes” për reciprocitet të plotë politik, ekonomik e tregtar. Ai gjithashtu ka kërkuar edhe nga Policia e Kosovës që të dalë në mbrojtje të vendimit të Kuvendit të Kosovës e jo, siç ka thënë ai, të deklaratave të ministrit Bajram Rexhepi, “i cili ka dalë haptas kundër ‘Vetëvendosjes”.

“Më 14 janar do të jemi plotësisht paqësorë e të pa dhunshëm. Nuk do të gjuajmë gurë e as shishe. Por do të fillojmë të zbatojmë një vendim që është më i rëndësishmi që e ka nxjerrë Kuvendi i Kosovës”, u ka thënë Kurti qytetarëve llapjanë. Lideri i “Vetëvendosjes” ka theksuar se nuk mund të ketë prodhim vendor në Kosovë pa e bllokuar Serbinë. E pa e ndalë Serbinë ekonomikisht, sipas tij, nuk do të mund të bëhet Kosova politikisht sovrane.

Sipas tij, okupimin e dikurshëm me ushtri, polici e në mënyrë institucionale dhe politike, Serbia tashti e ka zëvendësuar me okupim ekonomik e tregtar, “përveç asaj që edhe çerekun e territorit ende e kontrollon me struktura ilegale, kriminale e armiqësore”.

“Pra, ajo (Serbia) po i bjen mallrat e veta këtu, qytetarët e varfër të Kosovës po i blejnë ato. Dhe kësisoj prej Kosovës si tokë e djegur po na shndërron në treg të konsumatorëve dhe mallrave të saj. Këtë duhet ta ndërpresim. Vetëm atëherë do të bëhemi plotësisht të pavarur e sovran, atëherë kur do të jemi të pavarur edhe në aspektin ekonomik e tregtar prej Serbisë”, ka theksuar Kurti. Udhëheqësi i Lëvizjes “Vëtevendosje” ka thënë se Serbia dërgon çdo javë nga një zyrtar të vetin në Kosovë dhe i ndërsen serbët e Kosovës kundër pavarësisë së Kosovës dhe kundër shqiptarëve.

“Më 14 janar angazhohemi që të fillojë një epokë e re në Kosovë. Që t’ia marrim pushtetin Serbisë në Kosovë. E ky pushtet është politik, ekonomik e tregtar. Fatkeqësisht, Qeveria e Kosovës nuk po do ta forcojë shtetin tonë. Pushteti në Kosovë është i fuqishëm duke e mbajtur  shtetin e dobët, duke ia mbajt kufijtë e dobët, buxhetin e dobët e të varfër që po ia keqpërdorin, po manipulojnë me tendera, kontrata të dëmshme, po ia shesin pasuritë, etj”.

Aktivisti tjetër i kësaj lëvizje, Visar Ymeri ka përsëritur slloganin se më 14 janar “Serbia nuk kalon” dhe se do të bllokojnë mallrat e Serbisë dhe politikën e saj në Kosovë.

Qeveria e Kosovës, sipas tij, po bën çmos për të normalizuar marrëdhëniet me Serbinë dhe t’i mundësohet asaj që t’i shesë prodhimet e saj këtu.

“Qeveria e Kosovës po i nënshtrohet Serbisë dhe nuk po ndërmerr asnjë hap për reciprocitet ndaj saj”, është shprehur Ymeri.

Ndërkohë, Albin Kurti, ka paralajmëruar se protesta do të vazhdojë derisa të vendoset reciprociteti i plotë me Serbinë.

“Ne nuk do të protestojmë vetëm një ditë, sepse nuk ka kuptim një ditë ta mbyllim kufirin e ta lirojmë ditëve tjera. Pra, do të qëndrojmë aty deri atëherë kur mekanizmat shtetërorë do të jenë në nivel të detyrës, në nivel të vendimit të Kuvendit të Republikë së Kosovës për reciprocitet të plotë”, ka thënë Kurti.