Lajme Shqip Monday, 29 July 2013 13:14

Tiranë – Ngjarja e Vlorës ka shokuar mbarë shoqërinë shqiptare. Tre persona u vranë në mes të plazhit, duke terrorizuar njerëzit jo vetëm aty, por edhe ata të gjithë që duan të pushojnë.
Reagimet në rrjetet sociale janë të shumta, ndërsa shumica e njerëzve theksojnë se shteti nuk ekziston më.
Ish- deputeti Aleksandër Biberaj i ka bërë thirrje presidentit Bujar Nishani që të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare për këtë situatë.
Sipas tij, në këtë mbledhje duhet të jetë edhe Edi Rama, ndërsa duhen marrë masa sepse është shthurur shteti.
Kurse prezantuesja Alketa Vejsiu thotë se kjo ngjarje është tronditëse.
“Të shkosh në plazh dhe të të marrin jetën ‘gabimisht’, kjo është skandaloze. Po edhe t’i marrësh jetën qëllimisht tjetrit me kallashnikov në mes të ditës në vitin 2013, kjo më duket një lajthitje. Si mund të merret jeta kështu? O Zot, ruaji njerëzit e mirë të këtij kombi,” shkruan ajo në FB.

Arrestohet një nga të dyshuarit për masakrën e Vlorës

Policia ka bërë të ditur se ka arrestuar një nga të dyshuarit për ngjarjen e rëndë në Vlorë, ku mbetën të vdekur tre persona.
Sipas policisë, i arrestuari është Leo Osmani, që është bashkautor në ngjarjen e rëndë në plazhin e Radhimës.
Leo Osmani ka pasur një debat me 34 vjeçarin nga Fieri, Sokol Isufaj, një nga viktimat e ngjarjes.
Ata janë grindur në një lokal sipas plazhit dhe më pas Isufaj është kthyer në çadër.
Por më pas kanë ardhur breshëritë e automatikut mbi Isufajn, që kanë shkaktuar dhe dy viktima të tjera.
Mendohet se mbi njerëzit ka qëlluar një mik i Leo Osmanit.
Autori është larguar me një makinë fuoristradë nga vendi i ngjarjes./Tema/Lajmeshqip/