|
|
e Enjëte, 12 Korrik 2012 11:27 Tiranë – Aleanca KuqeZi protestoi sot përpara Kuvendit të Shqipërisë, kundër marrëveshjes mes dy partive kryesore për reformën zgjedhore. Sipas tyre, ka ardhur koha për të ndëshkuar këto dy forca politike. Protesta është organizuar nën moton “Koha për Ndëshkim. Të largojmë gangsterat e politikës”
“Aleanca KuqeZi është këtu sot për të protestuar kundër situatës në të cilën ndodhet vendi prej drejtimit të gabuar që po i jep qeveria kolumbiane e Sali Berishës e cila nuk është as më shumë e as më pak se sa qeveria kolumbiane në mesin e Evropës.
Ne e kundërshtojmë këtë qeveri e cila ka humbur krejtësisht legjitimitetin dhe së fundmi ka humbur kontrollin e territorit të Republikës së Shqipërisë që po kontrollohet nga bandat e hashashit të cilat policia e partisë-shtet nuk është në gjendje të vërë përpara drejtësisë.
Ne denoncojmë me forcë këtë parlament që është mbushur me deputetet të papunë e bixhozxhinj që kriter i kanë vënë vetes lidhjet me krimin e organizuar, trafiqet, drogën dhe kazinotë e fuqishme të Ballkanit,” deklaroi përfaqësuesi i AK, Augent Xhaferaj.
“Ne jemi dëshmitarë të pazarit më të fundit të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Jo më larg se dje PD dhe PS na vërtetuan sërish se janë të gatshme të krijojnë koalicionin e tmerrit mes tyre vetëm e vetëm për të mbajtur një karrige me rrota në zyrat e shtetit të kalbur pikërisht prej marrëveshjeve të fshehta mes tyre. Kanë 22 vjet që qeverisin duke ndërruar karriget dhe mbushur xhepat dhe ende nuk janë ngopur duke kërkuar votën e shqiptarëve për t’i vjedhur ata pandashmërisht.
PD dhe PS janë drejte një koalicioni te modelit grek ku dy partitë qe shkatërruan vendin sot bashkëpunojnë me gjasme për ta rindërtuar atë. Ka ardhur “koha për ndëshkim”, koha për të larguar njëherë e përgjithmonë nga sytë e shqiptarëve portretet e hajdutëve, të korruptuarve, diktatorët e rinj të Evropës, që për pushtetin kanë vrarë dhe do të vrasin vëllezërit tanë shqiptarë,” vijoi përfaqësuesi i AK.
Aleanca KuqeZi bëri thirrje që qytetarët të votojnë për këtë forcë politike. “Sot me Aleancën KuqeZi janë bashkuar mijëra shqiptarë, emigrantë, pensioniste, të rinj dhe te reja me energji dhe besim të jashtëzakonshëm që Shqipëria bëhet. Sot me ne këtu janë përfaqësuesit e shoqatave të ish të burgosurve politik dhe ish të përndjekurve politik të cilët me votën e tyre sollën në pushtet Sali Berishën dhe ky i fundit i shpërbleu duke i dënuar dhe vrarë për të dytën herë. Kjo kategori e përvuajtur e shoqërisë shqiptare endet sot rrugëve për një cope bukë sepse njeriu që u premtoi mirëqenie u solli vetëm skamje dhe vuajtje të vazhdueshme.
Prandaj edhe njëherë Aleanca KuqeZi i bën apel mbarë kombit shqiptarë që të bashkohet një zëri për t’i dhënë goditjen e merituar kësaj politike të fëlliqur dhe të degraduar nga etja për pushtet dhe para bixhozi dhe kazinoje. Është koha për ndëshkimin e njollës së zeze në historinë e Shqipërisë 100 vjeçare, është koha të ndëshkojmë me votë hajdutët që janë strukur në këtë godinë për të vjedhur parat e shqiptarëve”. (LajmeShqip.com)