Lajme Shqip Friday, 10 June 2011 19:08

Zajaz – Me një solemnitet modest, Komuna e Zajazit sot shënoi përvjetorin e saj të funksionimit.

Në shënimin e përvjetorit të themelimit të komunës së Zajazit kryetari i saj Musli Musliu, foli për të arriturat e kësaj komune dhe sfidat që e presin gjatë periudhës që vjen.

“Projektet e filluara infrastrukturore janë të një rëndësie jetike për popullatën e kësaj ane dhe realizimi i tyre do të përmirësojë dukshëm cilësinë e jetës në këtë komunë”, tha Musliu.

Ai me këtë rast falënderoi strukturat e BDI-së në pushtetin qëndror për mbështetjen që ata e dhanë në konkretizimin e tyre.

Ndërkaq lideri i BDI-së Ali Ahmeti duke i përgëzuar strukturat komunale të Zajazit në këtë solemnitet për ditën e komunës nënvizoi  se komunat rurale të këtij rajoni do të bashkohen më vitin 2013 sepse, siç tha, duke qenë bashkë do të hapen perspektiva zhvillimore në të gjitha fushat.

“Fitorja e BDI-së në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, e ka vendosur këtë subjekt përpara një përgjegjsie shumë të madhe, sepse ky mandat është një mandat serioz ku pritet të mbyllen shumë çështje të rëndësishme, siç është kontesti për emrin me Greqinë. Kjo pengesë duhet të tejkalohet sepse një zgjidhje kompromisi me fqiun tonë jugor, do të hapë rugën e integrimit në NATO dhe BE”, theksoi Ahmeti.

Ky, nënvizoi Ahmeti, është një mandat që vjen si fitore për të ardhmen e vendit , për sigurinë dhe paqen rajonale  të cilat do të na sjellin investime dhe prosperitet ekonomik.

“Do të përpiqemi që të mbështesim vullnetin e shumicës shqiptare. Na presin sfida të mëdha, por strukturat tona do të dijnë të menaxhojnë me proceset nëpër të cilat duhet të kalojë vendi”, tha lideri i BDI-së, Ali Ahmeti në solemnitetin për ditën e komunës së Zajazit. 

Në  solemnitet morën pjesë, drejtues komunash dhe institucionesh, deputetë dhe ministra, këshilltarë komunal dhe mysafirë nga Shkupi, Tetova e Gostivari.