Lajme Shqip Saturday, 29 June 2013 10:42

Tiranë – Dritëroi ishte ulur aty, në këndin e tij të zakonshëm, ku pret miqtë që nuk janë të paktë, por edhe gazetarët. I merr gjithnjë shumë seriozisht intervistat dhe peshon çdo fjalë që do të shënohet e zeza mbi të bardhë. Kështu është ai, një njeri që kujdeset për fjalën dhe që i jep vlerë. Megjithëse për të është një periudhë jo fort e mirë për intervista, sa u përket emocioneve që përjeton, ai pranoi të bisedonte për zgjedhjet e 23 qershorit.
Së bashku me bashkëshorten, Sadijen, ata kanë shkuar të votojnë ditën e diel. Madje Sadija na tregon, ashtu siç është ajo e kujdesshme për çdo detaj, se atë ditë, Dritëroi u kujdes edhe për pamjen e jashtme, dhe të dy, si përherë të pandarë, votuan, sigurisht për Partinë Socialiste. Gjatë gjithë ditës kanë ndjekur procesin e votimit, madje edhe numërimet. Si njerëz që janë marrë me shtypin, të dy nuk mund të flenë pa parë edhe titujt e gazetave në orët e mesnatës. Në këtë bisedë të lirë, Dritëroi përgëzon të majtët, Edi Ramën dhe Ilir Metën, por edhe i këshillon që të kenë kujdes e të mos e kthejnë qeverinë si ajo që u largua, në “parti-shtet”. Ai e quan pozitive dorëheqjen e Sali Berishës dhe shpreson që kjo të mos jetë nga ato tërheqjet si të Ten Cio Pinit.

Si e ndoqët ditën e zgjedhjeve dhe këtë proces që pasoi?

Unë e kam të vështirë në përgjithësi këtë bisedë, pasi kanë folur shumë politikanë, gazetarë, analistë, kryetarë partish e njerëz të brendshëm dhe të jashtëm, dhe kam frikë se do t’i përsëris gjërat dhe mos bëhem i mërzitshëm, megjithëse thonë që përsëritja është nëna e dijes, por mund të jetë edhe tezja e mërzisë. Por do mundohem edhe unë të them disa gjëra. Unë i ndoqa zgjedhjet deri vonë natën, sepse edhe diskutimet ishin shumë. Prisja edhe ato pak gazeta që dilnin në orën 12:00, dhe mendoja pa u hapur kutitë, se do të kishte një diferencë të vogël. Nuk do të ishte një hapësirë kaq e madhe e ndryshimit. Megjithatë, siç thonë nga Kosova, “u ba”, domethënë fitoi e majta, por ma merr mendja që fitoi edhe e djathta. Fitoi e majta që të kryhet rotacioni, i thonë tani, ne dikur i thonim qarkullimi, por e njëjta gjë është. Po ta përsëris fjalën ‘qarkullimi’, kam frikë se do të thonë, ‘ky komunist’ dhe po e them ‘rotacion’… (shpjegon kuptimin e fjalëve). Por më ka bërë përshtypje një gjë, që këto zgjedhje ishin shumë të qeta dhe të kulturuara. Nuk kishte konflikte të mëdha. Nuk kishte një frikë si në të gjitha zgjedhjet e mëparshme, frikë për të ruajtur që të mos vidheshin votat ose që të mos ndodhte ndonjë rrahje apo dhunë tjetër. Vetëm kjo ngjarja e Laçit, ishte një gjë që prishi atë atmosferë të asaj dite, aq më tepër që ai që u vra ishte një emigrant që erdhi për një gjë të mirë, për të votuar në vendin e tij. Por, nuk mori përmasa të tjera, që të ndodhte ndonjë akt i ngjashëm me këtë. Zgjedhjet kaluan mirë dhe unë e thashë që për të dyja palët është mirë dhe është pozitive, sepse do të nisë një frymë e re, ma merr mendja. Të majtët do të drejtojnë më mirë, se do të mësojnë nga të metat dhe arritjet e këtyre 8 vjetëve që e drejtoi koalicioni i djathtë, dhe do të ecin më përpara. Edhe nga të metat, edhe nga përparimet njeriu mëson, por të dy palët do të mësojnë. Kjo nuk është humbje. Është një rotacion. Përderisa ne kemi marrë përsipër që të ndërtojmë një shoqëri demokratike, duhet të pranojnë edhe këmbime, sepse bëhen zgjedhje dhe njëri humb e tjetri fiton. Nuk është ndonjë tragjedi e madhe kjo gjë. Tragjedi është kur demokracia fillon me komedi dhe mbaron me tragjedi. Kjo është fatkeqësi. Por deri këtu nuk kemi arritur shumë, megjithëse ka elementë të kësaj që thashë, por nuk është që të vësh duart në kokë, siç bëjnë disa që qajnë e thonë “obobo ç’na gjeti”. Kjo nuk është për t’u bërë, sepse atëherë mbanim një parti dhe nuk humbte ajo. Gjithnjë do të ishte ajo në pushtet.

E keni për largimin e zotit Berisha?


Po në përgjithësi them, edhe në zgjedhjet e mëparshme, nuk e kam vetëm për këto. Kur humbte ndonjëri, vinin duart në kokë. Populli, me votën e tij, tregon se duhet të drejtosh më mirë dhe fiton ai që e respekton demokracinë. Kështu që, duhen respektuar, si demokracia, si liria. Po i respektove, i nderove këto, atëherë fiton. Po i more nëpër këmbë, atëherë humb. Po të hedhësh flutura në livadh kur je kandidat për deputet dhe kur bëhesh deputet hedh miza kali, nuk është mirë. Ndaj njerëzit maten mirë kur vënë kandidaturën, por edhe partitë maten shumë, sepse nuk duhet që në fillim të hedhësh flutura të kaltra apo të kuqe apo ngjyra të tjera, – sepse fluturat janë shumëngjyrëshe, – dhe pastaj të hedhësh miza kali.

Ju u kënaqët që bekuat bashkimin PS-LSI, sepse përmes një mesazhi ju e keni përshëndetur këtë bashkim?

Mua si socialist më erdhi mirë që fituan socialistët, sepse këtë fitore e meritonin. Siç thashë, pushteti i mëparshëm ka pasur dhe të mira, veçanërisht në ndërtimin e rrugëve, sidomos tri rrugët kryesore, Rruga e Kombit, rruga Tiranë- Elbasan dhe fillimi i Rrugës së Arbrit. Këto janë tri vepra të konsiderueshme, por edhe mjaft të meta dhe gabime nuk lejohen. Nuk duhej që kjo qeveri apo ingranazhet e tjera të makinës qeveritare të merreshin vetëm në një drejtim, vetëm me rrugët, por duhej të shikonin edhe problemet e tjera të vendit. E para që dua të them është ekonomia, e cila mbeti pa vëmendje, me një vëmendje të cekët, me vëmendjen drejt rritjes globale, të monopoleve të industrialistëve apo të fermerëve të mëdhenj, të pasanikëve, por nuk u fut thellë në varfërinë e popullit, në ekonominë, në papunësinë, në shkollimin e këtyre të varfërve, në lënien e tokave djerrë, në braktisjen e kanaleve ujitëse. Pati moskujdes ndaj tokës që prodhon, sepse toka është si demokracia. Po ta punosh, jep fruta. Edhe demokracia, po të kujdesesh ta përmirësosh, jep fryt. Këtu me këto mosrealizime ekonomike u cenua edhe vetë demokracia. U bë një demokraci e çalë. Prandaj, një përkushtim vetëm në një drejtim, vetëm me një gërshërë në brez dhe me një shirit… Po të tjerat?! Kjo u bë pak qesharake, sepse filluan njerëzit, sa shihnin në televizor përurimet, thoshin ‘kemi gërshërën’. Domethënë, pati arritje në një drejtim. Kështu që, kjo varfëri u mbulua me një qilim me lule të bukura dhe nuk shihej gjë. U bë një Shqipëri imagjinare në fjalime. Dukej sikur ishe në Zvicër, ose në Shqipërinë e reflektuar në qiell, si në përrallat e “1001 netëve”. Domethënë u bë pak qesharake. Kjo anë ekonomike dha shkak për humbje dhe kjo qeveri që vjen duhet të vërë mend nga këto. Edhe rrugët të mos braktisen, por gjella me kripë dhe kripa me karar, thonë mësuesit tanë të popullit. Një tjetër e metë ishte edhe korrupsioni në të gjitha fushat e jetës. Nga ana politike, politika shtetërore, edhe kjo kishte shumë të meta, sepse u bë parti-shtet. Ne e kemi vënë re, kur përurohej ndonjë gjë, ‘vetëm e përuron Partia Demokratike’, thuhej. Por kjo s’ka si të jetë kështu, sepse ishte djersa e popullit. Ajo është qeveri e të gjithëve, nuk është qeveri vetëm e anëtarëve të PD-së. Ndaj si qeveri nuk mund të kalosh në parti-shtet, me flamurë po të kësaj partie. E pamë edhe në fushatën zgjedhore, që inauguroheshin në prag të zgjedhjeve e thuhet që, ‘Partia Demokratike ka bërë këtë e ka bërë atë’…. Prandaj unë vij në këtë përfundim, që Partia Socialiste duhet të ruhet kur të marrë qeverinë, nga partia-shtet, sepse kjo është shumë e lehtë. Kalohet shumë kollaj. Të rrëmben ai entuziazmi i partisë që drejton dhe bëhesh parti-shtet. Ne e kishim partinë-shtet që e rrëzuam. Pse do të ngremë prapë disa parti-shtet?! Kjo është diçka që nuk funksionon mirë. Dhe kjo arriti pastaj të marrë formën e një autokracie. Pra, u ndoqën praktikat autokratike në këtë anë. Duke ndjekur këto praktika, u përqendrua i gjithë pushteti i institucioneve në një dorë. Po e tha fjalën ai, aty vuloset. Pastaj me këto praktika populli edhe u lodh, u mërzit, dhe tha ‘ta ndërrojmë një herë këtë histori’ dhe e ndërroi. Kështu që, edhe këto anë e dëmtuan atë ëndrrën e para 8 vjetëve, që e kishte edhe Partia Demokratike dhe vetë populli. Unë nuk them që nuk është bërë, sepse janë bërë shumë me atë qeveri. Por edhe më përpara kur kishte pushtetin në 1992, u liruan nga shumë paragjykime të socializmit real që ishte përpara. U bë liria e shtypit, liria e fjalës; të gjitha këto ishin meritë kryesore e Partisë Demokratike, e cila u krijua e para si e tillë. Ndaj edhe u duartrokit atëherë dhe mori shumë deputetë, sepse kishte merita të veçanta. Mirëpo rruga e gjatë e pushtetit e lodhi dhe u bë pak joelastike. U ngurtësua, u kënaq në vetvete dhe ndoqi të njëjtën metodë në të gjitha betejat… / Gazeta Shqiptare/