Lajme Shqip e Martë, 29 Maj 2012 07:00

Bruksel - Të dhënat lidhur me rrjetin agjenturës së Miloseviçit janë bërë publike në raportin e forumit, i cili është mbajtur këto ditë në Bruksel, ku është shqyrtuar roli i ish-shërbimeve sekrete në Ballkan.

Gjatë debateve, Zoran Petroviç i organizatës joqeveritare “Koop i Kapinic”, paraqiti të dhëna me interes mbi agjenturën e shërbimeve sekrete serbe në Ballkan dhe që përdorej nga regjimi i Miloseviçit.

“Regjimi i Miloseviçit kishte në dispozicion një rrjet prej 2200 agjentësh jashtë territorit të vetë Serbisë. Në Kroaci – 450, në Slloveni – 150, në Maqedoni – 150, në Bosnje-Hercegovinë – 350, në Kosovë – 700, në Mali të Zi – 200. Kurse dyqind të tjerët punonin në Bullgari, Greqi, Shqipëri, Rumani, Qipro, Hungari dhe Austri. Një pjesë e agjentëve kishin shtetësi të dyfishtë”, thuhej në raportin e ekspertit të njohur serb të OJQ-së “Koop i Kapinic”, Zoran Petroviç.

“Agjentët e Milosheviqit ishin politikanë, punonjës në media, biznesmenë, shkelës të embargos, si dhe zyrtarë të forcave të sigurimit të ushtrisë, policisë, inteligjencës dhe grupe të ndryshme lobuese në favor të Miloseviqit”, nënvizoi Petroviçi.“Një pjesë e agjentëve kishin shtetësi të dyfishtë”, thuhej në raportin e ekspertit Petroviç.

Në këtë Forum kanë marrë pjesë ish-agjentë, përfaqësues nga të gjitha shtetet socialiste, tani vende anëtare të NATO-s, përfaqësues dhe ekspertë për siguri, ku qëllimi kryesor ka qenë të analizohet puna e ish-sigurimit shtetëror nga viti 1949 deri në vitin 2010.

Në rezolutën e fundit për Serbinë, më 28 mars 2012, Parlamenti Evropian u bëri thirrje autoriteteve të Beogradit “të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të eliminuar legjitimitetin e ish-shërbimeve sekrete komuniste, si një hap demokratizimi në Serbi”. (lajmeShqip.com)