Lajme Shqip Monday, 24 June 2013 13:34

Malishevë – Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, nuk është pritur mirë në Malishevë në vizitën e tij që ka bërë pas lajmit për rritje të rasteve të thumbimit nga rriqrat në këtë zonë.  Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, siç raporton KTV, në një aksion në oborrin e Kuvendit Komunal të Malishevës, gjatë vizitës së Ministrit i kanë shkruar në veturën e ministrit  “Ministër jeni vonuar”,  duke manifestuar kështu protestën për vonesën e këtij institucioni. 

“Ky pushtet në vazhdimësi ka  injoruar  gjendjen e qytetarëve të Malishevës dhe komunave përreth, lidhur me problemin e etheve hemorragjike,që vetëm këtë vit mori jetën e 5 qytetarëve të Kosovës”, vlerëson kjo parti.  

Vetëvendosje thotë se ky problem nuk është tashmë vetëm problem lokal, por i tërë Kosovës. “Përmes këtij aksioni ne kërkojmë me urgjencë që të zbatohet plani për eliminimin e kësaj sëmundje. Të mobilizohemi dhe të bëhet gjithçka që është në dorën dhe vullnetin e njerëzve për ketë problem, i cili po merr jetë të qytetarëve tonë. Është koha e fundit që ky problem të trajtohet me seriozitetin që e meriton”, thuhet në njoftimin për media.