Lajme Shqip Friday, 23 August 2013 10:36

 

 

Prishtinë –(E plotësuar) Me kërkesë të prokurorit Mauricio Salustro, Gjykata Themelore e Mitrovicës ka marrë vendim për t’ua vazhduar edhe për dy muaj paraburgimin “Grupit të Drenicës”.

Kështu ka shkruar deputetja e PDK-së, Ganimet Musliu në rrjetin social “Facebook”. Sipas saj, misioni i EULEX-it në Kosovë është për ta destabilizuar Kosovën. “Vendimi për vazhdimin edhe për dy muaj paraburgim për komandantët e UÇK-së më së paku ka të bëjë me drejtësi. Turp”, ka shkruar Musliu.
Lajmi është konfirmuar edhe nga Tomë Gashi, avokati mbrojtës i Sylejman Selimit ambasadorit të Kosovës në Shqipëri.
“Sot gjyqtari i procedurës paraprake i Gjykatës Themelore né Mitrovicë, sipas kërkesës së prokurorit të EULEX i ka vazhduar paraburgimin ish- komandantit të përgjithshëm të UÇK’së z. Sylejman Selimi dhe 6 bashkëluftëtarëve të tij edhe për 2 muaj, respektivisht deri më 23.10.2013”, ka thënë Gashi për Express.
Sipas Gashit, gjyqtari i ka aprovuar pretendimet e Prokurorit Salustro se kinse ekziston rreziku i ikjes dhe rreziku i ndikimit në prova dhe dëshmitarë.
“Unë si avokat i Sylejman Selimit, por edhe të gjithë avokatët tjerë do të paraqesim ankesë kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit në Prishtinë”. Ka pohuar Gashi, i cili e konsideron shokues, të padrejtë dhe pa asnjë bazë juridike këtë vendim, sikurse edhe vendimin e datës 31 maj për paraburgosje të z. Selimi dhe të bashkëluftëtarëve të tij 14 vite pas përfundimit të luftës.
”Edhe pse të gjithë me ftesë janë lajmëruar vullnetarisht tek prokurori. Është fyese të pretendohet që ata që luftuan për çlirimin e Kosovës dhe që konsiderohen heronj të gjallë të luftës do të ikin nga Kosova që të mos përballen me një gjykim të ardhshëm për diçka që nuk ka ndodhur”, është shprehur avokati i Selimit.

Afati i paraburgimit për “Grupin Drenica” skadon sot

 

Prishtinë – Gjykata Themelore e Mitrovicës, sot duhet patjetër të marrë vendim t’i lirojë shtatë ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të njohur si “Grupi i Drenicës”, apo ta aprovojë kërkesën e Prokurorit Maurizio Salustro, i cili para dy ditësh kërkoi nga kjo gjykatë vazhdimin e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë.

Tomë Gashi, avokati mbrojtës i Sylejman Selimit, ka thënë se Gjykata nuk mundet ta prolongojë apo ta shtyjë marrjen e vendimit për vazhdimin ose jo të paraburgimit.
Sipas Gashit , nëse vendimi nuk merret deri në ora 24:00, klienti i tij dhe të gjithë të tjerët nga administrata e burgjeve ku gjinden duhet të lirohen menjëherë nga paraburgimi.
Sami Lushtaku, Sylejman Selimi, Sahit Jashari, Jahir Demaku, Zeqir Demaku, Hysni Thaçi dhe Avni Zabeli ndodhen në paraburgim qysh prej 23 qershorit të këtij viti me vendim të Gjykatës Themelore të Mitrovicës. Ata janë të dyshuar se kanë kryer krime gjatë luftës së fundit në Kosovë./Kosovapress/