Lajme Shqip Thursday, 30 June 2011 19:22

Prishtinë – Administrata publike e Kosovës është një nga hallkat e dobëta të organizimit shtetëror, ngase edhe ajo është prekur nga dukuria e korrupsionit dhe problemeve të ndryshme. Këto konkluzione kanë dalë në tryezën e organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës, me rastin e lansimit të raportit kombëtar “Kriteret e BE-së mbi luftën e korrupsionit”.

Esat Mazreku, koordinator i projektit “Cimap”, ka thënë se administrata publike është sektori më problematik dhe se i mungon serioziteti i përkushtimit në punë.

Ndërsa, ish-ministrja e Administratës Publike, Melihate Tërmkolli, theksoi se nga të gjitha raportet e progresit që deri më tanë kanë ardhur në Kosovë administratë publike ende mbetet në “top formë”.

Ndërkaq një ndër problemet më të mëdha të kësaj administrate sipas Tërmkollit është politizimi i administratës.

Ndërsa Dastid Pallaska, njohës i fushës së drejtësisë, ka thënë se në Kosovë vërehet një keqkuptim rrënjësor për korrupsion, sepse sipas tij shoqëria kosovare kryesisht përqendrohet në korrupsionin, i cili nënkupton ose përfshin shkëmbimin e parave për kryerjen e shërbimeve të ndryshme e kështu me radhë.

Ndërkaq ky projekt është zhvilluar edhe në tri shtete të tjera Turqi, Maqedoni, Shqipëri, ku qendra e zhvillimit e këtij projekti ka qenë Berlini, ku për synim kanë pasur matjen e këtij procesi. (LajmeShqip.com)