Lajme Shqip Tuesday, 27 October 2015 14:55

Megjithëse MSA-ja e nënshkruar sot në Strasburg nuk është e plotë, siç ka qenë për vende tjera, ajo është rezultat i një përpjekjeje të disa brezave qeverisës të Kosovës, prandaj si e tillë është një hap i rëndësishëm

Kështu ka vlerësuar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës përmes një komunikate dërguar mediave, përmes së cilës, megjithatë, përshëndet hapin e sotëm të nënshkrimit të MSA-së.

“Nënshkrimi i MSA-së jo domosdoshmërisht është garanci për rrugë të shpejt për anëtarësim në BE, sepse anëtarësimi në BE është drejtpërdrejt i ndërlidhur me nivelin e qeverisjes së brendshme dhe demokratizimin në tërësi”, thotë AAK, duke dhënë një shembull krahasues: “Kroacia dhe Maqedonia e kanë nënshkruar MSA-në në vitin 2001. Madje, Kroacia e ka nënshkruar 6 muaj dhe 20 ditë pas Maqedonisë, por Kroacia ka një kohë që është anëtare e BE-së, ndërsa Maqedonia është shumë larg në rrugëtimin e saj”.

“Fatkeqësisht, Kosova është e fundit që e nënshkruan këtë marrëveshje dhe institucionet e Kosovës do të kenë sfida të mëdha para vetes në plotësimin e kritereve që i kërkon kjo marrëveshje”, theksohet në komunikatën e AAK-së.

“Pika më e dobët e Kosovës aktualisht është cilësia e qeverisjes, për përmirësimin e së cilës AAK është e vendosur”, përfundon komunikata e AAK-së.