Lajme Shqip Friday, 17 August 2012 11:02

Prishtinë  – Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, sipas nënkryetarit të AAK-së, Blerim Shalës  do të jetë pjesë grupit për dialogun me Serbinë, dhe pret që kur pas disa javësh Tribunali i Hagës ta shpallë të pafajshëm kryetarin Ramush Haradinaj, të hyjë në koalicion me PDK-në.

Koalicioni do të duhej të krijonte rrethanën që Haradinaj, që e pati lënë kryeministrinë për t`u përballur me akuzat nga Tribunali, të kthehet si kryeministër për të vazhduar punën e lënë përgjysmë.

Nënkryetari i AAK-së, Blerim Shala, ka folur në detaje për planet e partisë, koalicionin, ekipin e unitetit, veriun dhe dialogun edhe nga përvoja e tij si koordinues i ekipit të mëhershëm të Unitetit në dialogun me Serbinë.

Në fakt, në intervistën e tij për “Kohën Ditore”, Blerim Shala, ka folur si përfaqësues i Kosovës në këtë proces, tek ka elaboruar në detaje çështjen se çfarë duhet të pranojë e çfarë jo pala kosovare për veriun, por edhe si duhet të definohet normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë.

Ai shprehet se veriu i Kosovës nuk e ka kontrolluar kurre veriun, prandaj duhet të dialogohet.

“Ne e dimë se çfarë ka ndodhur më 19 shkurt të vitit 2008. Me ngjarjet e njohura e të programuara nga Qeveria e Serbisë me synimin që veriu të mbetet jashtë shtetit të Kosovës sikurse edhe më 20 qershor të vitit 99 kur Qeveria e Serbisë ka bërë që veriu të mbetet jashtë administratës ndërkombëtare, jashtë UNMIK-ut dhe KFOR-it. As Rezoluta 1244 nuk ka funksionuar kurrë në veri, pos në kufi që e ka bërë KFOR-i. Çështja është tash si të funksionalizohet Kosova në veri, si të bëhet ligji atje, dhe si të organizohen zgjedhjet për një qeverisje autoktone të Kosovës.” përgjigjet Shala në pyetjen për zgjidhjen e çështjes së veriut. (LajmeShqip.com)