Lajme Shqip Thursday, 22 October 2015 09:14

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vlerëson se shkarkimi i rektorit Ramadan Zejnullahu, është një lajm i keq për Universitetin dhe për shtetin. Deklaratat e përfaqësuesve institucionalë shtetërorë, që janë përgjegjës për gjendjen e rëndë në këtë institucion, sipas AAK-së, janë hipokrizi.

Përmes një komunikate për media kjo parti thotë se shkarkimi politik i Rektorit, duhet të shndërrohet në kauzë qytetare që të fillojë spastrimi i këtij institucioni, nga kriminelët akademikë e financiarë, njëherë e mirë.

“Ne mbështesim çdo nismë që për qëllim ka kthimin e normalitetit në Universitetin e Prishtinës! Poashtu mbështesim një hetim për identifikimin e shpërdorueseve të dijes dhe shkencës si dhe hapjen e këtij institucioni për kuadro të mirëfilltë akademikë”, thuhet në komunikatën e AAK-së.

AAK thotë se shteti dhe shoqëria civile duhet t’i identifikojë militantët politikë që kanë uzurpuar këtë institucion dhe ata që shkarkuan rektorin sipas AAK-së, duhet të vetëshkarkohen.