Lajme Shqip Tuesday, 23 April 2013 17:22

Prishtinë – Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është tërhequr nga Komisionet për reformën zgjedhore, në shenjë pakënaqësie punën e deritashme që është bërë aty.

Lajmi është konfirmuar nga deputeti i AAK’së, Burim Ramadani.

“Konsiderojmë se ky forum nuk e ka kryer punën e vet”, ka thënë Ramadani për Gazetën Express. Ai ka thënë se Partia e Ramush Haradinajt është për përfundimin sa më të shpejt të reformës zgjedhore, por jo me mënyrën se si ka shkuar deri më tash. “AAK mbetet fuqishëm për ta përfunduar reformën zgjedhore përmes Kuvendit të Kosovës. AAK është kundër forumeve të liderëve, të cilat s’kanë prodhuar kurrfarë rezultati”, ka shtuar ai. Ramadani ka deklaruar se largimi i AAK’së po ndodh edhe për shkak se disa liderët të partive politike po bëjnë fushatë me reformën zgjedhor. “Ky forum vetëm është sjell në rreth dhe si i tillë vetëm e ka humbur kohën. Prandaj, ky është forum koti dhe mendojmë se kjo punë nuk duhet të shkoj edhe më tutje kështu”, ka thënë ai.

Sipas AAK’së i gjithë procesi duhet të kthehet në Kuvend dhe pastaj të merren vendimet për të vazhduar më tutje. “Procesi duhet të kthehet në instancat vendimmarrëse që janë parlamentare për të vazhduar reformën”, ka shtuar Ramadani.

Reforma zgjedhore ka nisur në prill të vitit 2011, pas zgjedhjeve problematike të fundvitit 2010, ku ka pasur shumë manipulime me votën e qytetarëve. Në atë kohë ishte përmendur edhe reforma që ka të bëjë me mënyrën e zgjedhjes së drejtpërdrejtë të Presidentit, por që më vonë, PDK, AAK dhe Vetëvendosje kanë thënë se janë për modelin e vjetër – zgjedhjen e Presidentit përmes Parlamentit.

Krejt punën dyvjeçare në reformën zgjedhore, AAK po e sheh si humbje e kohës.

“Ky forum po shfrytëzohet si platformë për liderët e caktuar të partive politike për të bërë fushatë politike. AAK prej fillimit ka qenë e interesuar për reformë zgjedhore dhe s’jemi të interesuar të humbim kohë koti”, ka shtuar Ramadani. Ndërkohë, Këshilltari i Kryetarit të AAK’së, Avni Arifi ka lëshuar mbledhjen e thirrur nga liderët e partive politike, duke thënë se partia e tij s’ka arsye të vazhdoj të mbështes një forum që nuk ka bërë asgjë për dy vjet.(LajmeShqip.com)