Lajme Shqip Tuesday, 29 October 2013 10:42

Shqipëria është ndoshta rasti më i veçantë në botë ku sektet fetare kanë bashkëpunim shumë të ngushtë me njëri-tjetrin dhe brenda një familje gjejmë njerëz që besojnë në dy-tre besime të ndryshme. Nëpër mediat e huaja shpeshherë lexojmë lajme se në Shqipëri po zhvillohet islamizmi ekstremist dhe natyrshëm nga ky ekstremizëm lind islamofobia tek qytetarët e besimeve të tjera. Por e vërteta është se në Shqipëri, shqiptarët besimin fetar e kanë për qejf, pra shumica e popullsisë e cila në përgjithësi është edukuar në sistemin komunist ateist dhe një pjesë e mirë u edukua në sistemin e tranzicionit ku njerëzit nga vitit 1990-2002, iknin nga vendi për të siguruar bukën e gojës për një mirëqenie të mirë ka bërë që të mos kemi një sistem edukativ tradicional në drejtim të edukatës fetare. Pjesa më e madhe e shqiptarëve që emigruan në Greqi dhe gjetkë e deklaronin besimin fetar në bazë të interesave ekonomike, pra i përshtateshin ambientit ku punonin dhe jetonin. Ndryshimi i emrave u bë modë, pagëzimi nëpër kishat ortodokse greke shihej si një mundësi për të siguruar një leje qëndrimi sa më afatgjatë dhe ishte e logjikës që shumica e shqiptarëve myslimanë nuk mund t’i rezistonin presioneve në emigracion për të deklaruar hapur besimin fetar trashëgimtar të familjes, por pranonin të pagëzoheshin ortodoksë në kishën greke.

 

Sot, pyetja bëhet nëse është Shqipëria islamofobike? Besoj se kjo teori është sa ironike dhe qesharake sepse Shqipëria është prej shumë vitesh anëtare e Konferencës Islamike. Gjatë luftës në Bosnjë-Hercegovinës, Shqipëria shprehu gatishmërinë për të strehuar myslimanët sllavë të Ballkanit. Organizatat dhe bankat e para të huaja që filluan aktivitetet në Shqipëri ishin ato nga vendet islamike, të mos harrojmë se edhe sistemi diktatorial komunist kishte lidhje të ngushta me shumë vende islamike. Shqipëria, prej shumë vitesh ishte kampi i stërvitjeve të luftëtarëve guerrilas nga vendet islamike, të cilët luftonin për liri dhe demokraci. Problemi fetar i shqiptarëve qëndron më shumë tek edukimi, shkollimi i teologëve dhe predikuesve fetarë se sa tek besimtarët e thjeshtë, pasi ende në Shqipëri nuk ka shkolla kombëtare të mirëfillta fetare. Klerikët myslimanë dhe katolikë janë të lidhur ngushtë me çështjet kombëtare se sa klerikët ortodoksë, të cilët nuk janë me kombësi shqiptare, por i përkasin një kombi tjetër, i cili ka pretendime territoriale ndaj Shqipërisë dhe mban pezull Ligjin e një lufte fantazmë, që s’ka ndodhur kurrë. Pamjet nëpër mediat që i paraqesin shqiptarët si islamikë ekstremistë mendoj se janë më shumë të paguara nga qarqe të caktuara antishqiptare, edhe pak ato raste ku janë vërtetuar se shqiptarët bëjnë pjesë në grupe ekstremiste myslimane janë të izoluara, ku dhe vetë familjarët e tyre kanë dënuar me forcë veprimet ekstremiste të këtyre shqiptarëve.

 

Shqiptarët janë një popull që jetojnë me emocione të forta, një popull i vrullshëm, këto veprime kanë bërë që shqiptarët historikisht shpeshherë të bëjnë veprime të nxituara që bien ndesh me traditat, kulturën dhe zakonet e tyre. Sot, shqiptarët mund të grinden për gjëra më banale, qoftë edhe për një shikim kalimtar të shtrembër, por asnjëherë nuk janë grindur për çështjet fetare. Qytetarët shqiptarë, pavarësisht besimit fetar që i përkasin, varrosen ende nëpër varreza të përbashkëta, kjo nuk ndodh në asnjë vend të botës së përparuar. Traditat e bukura të kombit shqiptar nuk janë vetëm këngët, kostumet kombëtare, ushqimet tradicionale, por edhe shpirti human, bujaria, zemërbutësia dhe toleranca fetare. Prandaj mendoj se duhet ti ruajmë këto pasuri kombëtare që na veçojnë nga kombet e tjera. Nuk ka pasur dhe nuk do të ketë asnjëherë një Shqipëri islamofobike dhe kristianofobike sepse ne dimë ti përshtatemi çdo lloj pushteti dhe qeverisje.

 

Nga Abren Llalla