Lajme Shqip Saturday, 24 August 2013 09:52

Tiranë – Demokratët vazhdojnë që të mos e pranojnë humbjen e thellë të pësuar më 23 qershor, duke thënë se votuesit janë blerë. Kështu shprehet në një intervistë për “GSH” edhe deputeti Luçiano Boçi, sipas të cilit, më 23qershor janë derdhur aq para, se dhe “priftin e shtynë në mëkat”. Ai ka kërkuar reagim nga ana e shoqërisë ndaj këtij fenomeni.
“Në këtë pikë, dua të ripërsëris opinionin tim se, ndërsa ’97-ta ishte një revolucion i armatosur i kuq, 2013-ta ishte një revolucion anarkist i jeshiltë (sipas ngjyrës së monedhës së famshme amerikane), një vazhdim i 21 janarit me forma të tjera, përgjatë të cilit u derdhën aq para sa dhe “priftin e shtynë në mëkat”. Kështu, shpirti i votës së qytetarit u vodh dhe vetë vota u deformua. Reagimi qytetar dhe ai politik ndaj këtij fenomeni kontaminues, duhet të jetë reaktiv. Pasiviteti i shfaqur në këtë drejtim dhe pranimi e përqafimi i kësaj së keqeje nga shumë faktorë qofshin dhe ndërkombëtarë, nuk janë mënyra më e mirë për të shëndoshur demokracinë e brishtë shqiptare”, shprehet deputeti demokrat.
Ai ka komentuar edhe deklaratat e ambasadorit amerikan, për krahasimin e zgjedhjeve të 23 qershorit me ato të vitit 1992, raportom tema.
“Kjo deklaratë e fundit, së cilës iu ktheva e riktheva disa herë, krahasimisht me të tjerat, duket se lëviz në nivelin e deklaratave personale ose më saktë, kjo do të ishte dhe dëshira ime më e madhe. Sigurisht, si njeri që rreket të merret me politikë, nuk dua të paragjykoj aspak vendin komod apo jo, ku u bë ajo deklaratë: në një takim minimalistik tërësisht partiak, apo në një takim të paradokohshëm me ministra ende të padekretuar. Dhe po si i tillë, nuk dua të futem në shigjetimet e supozuara aspak të pranueshme, pasi ato nuk mungojnë, pavarësisht taktit të sforcuar të deklaratës. Por si qytetar që ka përjetuar në moshë aktive politike, të dyja periudhat e përmendura 1992 dhe 2013, nuk mund të rri pa kundërshtuar barazimin e referencave historike të adresuara, sikurse dhe përcaktimin e efektit të tyre. Gjithsesi unë dua të besoj se z. Ambasador nuk është informuar saktë se çfarë ishte kapërcimi epokal i 22 marsit ’92 për Shqipërinë, e cila, e ushqyer me ëndrrën europiane dhe e dashuruar me ëndrrën amerikane, e përkrahur plotësisht nga autoritetet më të larta të SHBA, bëri në mënyrë plebishitare kapërcimin nga errësira drejt dritës, nga burgu gjigant drejt një vendi të lire”, shprehet ai.