Lajme Shqip Monday, 29 July 2013 09:47

Tiranë – Rreth 9 mijë aplikime për vende pune në administratën publike kanë mbërritur deri më tani në postën e kryetarit dhe njëherësh kryeministër i zgjedhur, Edi Rama. Në fakt kanë arritur 10 mijë, por pas një pastrimi nga dublikimet, shifra ka shkuar në afro 8 mijë e 700 aplikime në ditët e para të javës që shkoi. Por çdo ditë numri rritet dhe për secilin, kryeministri i zgjedhur, Edi Rama ka dërguar një përgjigje sqaruese, përmes një e-maili, me firmë të Drejtorit të Komunikimit, Endri Fuga. Pas plotësimit të të dhënave që kërkohen në faqen online, të cilën e publikoi vetë Rama, një përgjigje u vjen aplikantëve në e-mail, ku thuhet shprehimisht: “I/E dashur, Ju jeni një prej….(numri i aplikantëve) personave që deri sot kanë dërguar letrën e interesit dhe CV-në për bazën e të dhënave që po krijojmë. Ju falenderoj për besimin e shprehur përmes reagimit Tuaj konkret ndaj apelit publik të kryeministrit të zgjedhur Edi Rama. Përfitoj nga rasti të nënvizoj edhe një herë se ky projekt nuk është një garanci për punë”. E më tej, përgjigjja vijon: “Përmes kësaj baze të dhënash ne do të krijojmë kushtet që sipas fushës, Ju të merrni informacion, për çdo mundësi konkurrimi për një vend pune të lirë në sektorin publik. Në vijim Ju lutemi të klikoni në linkun http://www.edirama.al/fusha_ interesit/ dhe të zgjidhni një prej fushave ku doni të jepni kontributin tuaj, për të ndihmuar në ecurinë e projektit”, thuhet në fund, në e-mailin që mban poshtë emrin: “Endri Fuga, Drejtor i Komunikimit të Zyrës së Kryeministrit të Zgjedhur”. Më tej, aplikanti duhet të përzgjedhë në vijim fushën ku synon të punësohet, apo shprehur ndryshe, aty ku kërkon të punësohet. Aplikimet do të vijojnë deri në shtator, ndërkohë që siç ka njoftuar kryeministri i ri, ka një lumë kërkesash edhe nga jashtë vendit. 
Shifrat 
Deputetja e re e PS-së, Milena Harito, së cilës i është ngarkuar kjo detyrë e statistikave të aplikantëve, ka publikuar disa nga shifrat, gjatë një interviste për revistën “Java”. Nga Italia, Greqia, Gjermania e Kanadaja, deri tek Izraeli, Butani, Gana e Sri Lanka kanë aplikuar për t’u punësuar në administratën publike të Shqipërisë. Sipas Haritos, në më pak se dy javë, më shumë se 8 mijë aplikantë kanë depozituar CV-të e tyre, disa online e disa dorazi, në PS, janë bërë pjesë e projektit të ri, të shpallur nga Rama. Rreth 50 persona janë me titull Profesor, më shumë se 250 Dr. Shkencash dhe afro 3000 që kanë mbrojtur tezat Master. Sa u përket profesioneve, ajo ka zbardhur se janë 240 mjekë, 300 IT, 700 juristë, 1500 ekonomistë etj., por, sipas shpjegimit që ka dhënë më tej Harito, jo të gjithë do të punësohen në sektorin shtetëror. “Këta njerëz, sigurisht që nuk do të punësohen të gjithë në administratë, kjo do ishte e pamundur. Por do të krijohen linjat e bashkëpunimit me sektorin privat. Sigurisht që kjo bazë të dhënash nuk do t’i jepet siç është sektorit privat, sepse ekziston thyerja e privatësisë së të dhënave. Privatët që do të kenë nevojë dhe do të hapin vende të reja pune në fusha të caktuara, atëherë lajmërimet e tyre ne do t’i mbledhim dhe do t’i fusim në një website, i cili do iu lejojë njerëzve që kanë aplikuar t’i aksesojnë këto lajmërime pune. Pra, nuk është se ne do drejtojmë bizneset drejt databazës sonë, por do të drejtojmë aplikantët tanë drejt nevojave të bizneseve”, – ka sqaruar Harito për “Java”.