Lajme Shqip Wednesday, 15 June 2011 12:07

Prishtinë – Siç kishte raportuar Portali Lajmeshqip.com se vendimi pritet të merret ditën e mërkurë, një panel gjyqësor i procedurës paraprake ka vendosur që t’ua zgjasë paraburgimin, përkatësisht arrestin shtëpiak, edhe për një muaj, tetë personave të arrestuar tre muaj më parë nën dyshimin për krime lufte, në “Rastin Kleçka”.

Gjykata e Qarkut në Prishtinë i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së prokurorit të EULEX-it, Mauricio Salustra, për zgjatjen e paraburgimit dhe arrestit shtëpiak për 8 personat e arrestuar më parë nën dyshimin për krime lufte, në Rasin Kleçka.

Vendimi është konfirmuar nga pala mbrojtëse dhe EULEX-i, dhe vjen dy ditë pasi një panel gjyqtarësh kishte mbajtur seancën vlerësuese rreth zgjatjes ose jo të paraburgimit, sipas kërkesës së prokurorisë.

Në këtë hetim është i përfshirë edhe deputeti dhe nënkryetari i PDK-së Fatmir Limaj, i cili është duke u mbrojtur me mandatin e deputetit.

Mahmut Halimi, njëri nga avokatët e të dyshuarve, konkretisht avokat i të dyshuarit Nexhmi Krasniqi, ka thënë se vendimi është i njëtë dhe do të ankohen në kolegjin e gjykatësve.

Hetimi po zhvillohet nën dyshimin se gjatë vitit 1998 këta persona kanë torturuar dhe vrarë civilë serbë e shqiptarë në Kleçkë të Malishevës.

Personat që po mbahen në paraburgim dhe arrest shëpiak, janë: komandanti i Policisë së Kosovës në Prizren, Nexhmi Krasniqi, Shaban Shala, Osman Hoxha, Naser Shala, Besim Shurdhaj, Behlul Limaj, Sabit Shala, Refki Mazreku dhe Agron Krasniqi.