Lajme Shqip Tuesday, 28 June 2011 17:05

Tiranë – Drejtuesi i Listës së Shqipërisë Natyrale, Koço Danaj, ka dhënë një intervistë ekskluzive për Portalin LajmeShqip.com, ku e bën publike nismën e tij për të bërë një kërkesë-padi në Gjyktatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, në Hagë, kundër vendimeve të asaj që quhet si Konferenca e Londrës, e cila mori vendimin tragjik për popullin shqiptar, duke copëtuar trojet shqiptare në katër pjesë. Dy janë kërkesat e kryesore të kësaj padie (dokumenti të cilin e zotëron ekskluzivisht Portali LajmeShqip.com): bashkimi i trojeve shqiptare dhe kërkesa për dëmshpërblim në vlerë 100 miliardë stërlina, dëm i shkaktuar për kombin shqiptar në 100 vjet ndarjeje territorale.

Lajmeshqip.com: Z. Danaj, ju keni hartuar një kërkesë-padi kundër Konferencës së Ambasadorëve në Londër, e zhvilluar në vitin 1913. Ku konsiston kjo padi?

K.Danaj: E para, gabimisht deri më sot e kemi quajtur konferencë. Në Londër është bërë një takim i 5 ambasadorëve të Fuqive të Mëdha të asaj kohe plus ish-ministrin e Jashtëm Britanik, Grey, takim që zgjati nga 16 dhjetori 1912 deri më datën 29 korrik 1913, ku u fiksuan kufijtë e kësaj Shqipërie artificial, që është sot.

Nuk kemi të bëjmë me një konferencë, por është një mbledhje ku është pirë çaj dhe është folur, dhe ato që deri më sot opinionit publik shqiptar nuk i janë bërë të njohura, janë pikërisht këto që do t’i them më poshtë. Deri më sot ne vazhdojmë të flasim në ambientin politik dhe në jurisprudencë për Konferencën e Londrës, por ajo nuk ka qenë konferencë dhe për këtë po jap një detaj. Kanë qenë takime, për të cilat nuk është mbajtur fare procesverbal. Pra, ku nuk shkruhet se çfarë u diskutua dhe çfarë u vendos. Pra, duke qenë e tillë, u vendos një gjë tjetër. Një herë në 6-7 ditë ish-ambasadori francez pjesëmarrës, Pol Kambon, bënte nga një përmbledhje të atyre që ishin folur dhe këtë përmbledhje ia dërgonte Ministrisë së Jashtme të Francës. Po të kërkosh dokumente për këtë mbledhje kolonialiste, duhet të kërkosh dhe të studiosh arkivat e Ministrisë së Jashtme të Francës. Tjetër, kemi të bëjmë me një mbledhje që nuk u mor fare më çështjen shqiptare. Në një material, që ne kemi 4 muaj që e posedojmë dhe është autentik, pra është vëllimi i 3-të i librit të Pol Kambon, me titull “Korrespondenca”, që i kushtohet pikërisht kësaj mbledhje, thuhet tekstualisht që “pas marrëveshjes së paqes mes Turqisë dhe Italisë, lindi nevoja që të zgjidhet kontradikta mes katër fuqive ndërluftuese, Serbisë, Malit të Zi, Greqisë dhe Bullgarisë dhe Turqisë, si ish-perandori, dhe e tërë kjo iu besua trupit diplomatik në Londër, dhe kjo mbledhje filloi më datën 16 dhjetor 1912”. Pra, ambasadori francez i asaj kohe bën të qartë qëllimin e mbledhjes së Londrës, temë e së cilës ishte jo çështja shqiptare, siç e kemi mësuar deri më tani, por objekti kryesor ishte zgjidhja e mosmarrëveshjeve midis Turqisë dhe katër fuqive të tjera luftuese. Ndërsa, trojet shqiptare, siç del edhe nga vetë letërkëmbimi i Pol Kambonit me diplomatë e politikanë të shquar të asaj kohe, u përdorën në funksion të arritjes së paqes midis 4 fuqive ballkanike dhe Turqisë. Për këtë arsye, duke gjykuar që sot ne ndodhemi në fazën e sendërtimit të Shqipërisë Natyrale, pra jemi në fazën e ndërtimit të trojeve shqiptare. Duke qenë se sot bashkimi nuk është më aspirate, por një problem i shtruar për zgjidhje, duke qenë se sot ne kemi forca politike në parlament që duan bashkimin kombëtar, siç është Lëvizja Vetëvendosja, e cila është forca e tretë politike e Kosovës, atëherë duke qenë se përsëri kemi zgjedhur të vetmen rrugë që na këshillon edhe bashkësia ndërkombëtare, rrugën e paqes dhe jo të dhunës, rrugën e dialogut dhe jo konfrontimit, ashtu siç parashikon edhe platforma e “Shqipërisë Natyrale”, platformë e cila ka dysheme politike aktin e Shpalljes së Pavarësisë së 28 Nëntorit 1912 dhe asnjë material tjetër, brenda këtij kuadri kjo kërkesë synon që ta sensibilozojë opinionin ndërkombëtar, sepse veç depozitimit në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë, materiali do t’u dërgohet edhe ministrave të jashtëm të 6 fuqive të mëdha të asaj kohe dhe, sigurisht, edhe Departamentit Amerikan të Shtetit, që aso kohe nuk kishte përfaqësues në Londër, por që sot është ndër arbitrat kryesorë të rregullimit të marrëdhënieve ndërkombëtare. Pra, synimi është që të punojmë në të gjitha frontet dhe me të gjitha mjetet demokratike për të realizuar që 28 Nëntori që e festojnë të gjithë shqiptarët, të mos jetë një datë e pavarësisë, por një realitet, sepse 28 Nëntori 1912 ka të tjera troje dhe të tjerë kufij nga çfarë ka ky 28 Nëntor që ne e festojmë aktulisht në këtë Shqipëri, që do ta quaja si “Shqipëri Artificiale”.

Lajmeshqip.com: Çfarë synoni dhe çfarë kërkohet në kërkesë-padinë e përgatitur nga ju?

K.Danaj: Kërkesa i drejtohet Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, 6 ministrave të Jashtëme të fuqive të mëdha dhe Departamentit Amerikan të Shtetit.

Në vitin 1913, ky takim i fuqive të mëdha i kënaqi vendet tona fqinje me territore shqiptare, siç ndodhi me Greqinë, së cilës iu dhanë trojet shqiptare të Çamërisë, Serbisë iu dhanë trojet shqitpare të Kosovës, Malit të Zi territoret shqitpare të Ulqinit, Plavës e Gucisë. Duke qenë e tillë, ka të bëjë edhe me një fakt, i cili deri më sot nuk është thënë. Mbledhja e Londrës refuzoi edhe aktin juridik të Shpalljes së Pavarësisë në vitin 1912. Duke mos pranuar ta vlerësojnë këtë akt, kjo do të thotë juridikisht se ky akt është i vlefshëm edhe sot, pra edhe sot pas afër gati një shekulli, ne kemi të drejtë të kërkojmë që t’i marrë fuqitë e plota juridike akti i Shpalljes së Pavarësië në vitin 1912 me po ata kufij. Pse e bëjmë këtë në këtë moment? Sepse jemi në një moment që ka të bëjë me faktin se bashkësia ndërkombëtare, pas viteve ’90, ka filluar të shfuqizojë disa konferenca dhe disa mbledhje të ngjashme ndërkombëtare, madje gati i ka anuluar. Po jua jap një shembull: Konferenca e Versajës u mblodh në vitin 1919 deri në vitin 1921 dhe ajo ishte vërtet konferencë. Një nga krijesat e saj ishte vendimi për të krijuar Mbretërinë Serbo-Kroato-Sllovene dhe, asokohe, për ta krijuar atë dhe në funksion të kësaj mbretërie, iu hoq pavarësia Malit të Zi. Mali i Zi e ka fituar pavarësinë ndër shtetet e para. Kjo formulë u ruajt edhe në Konferencën e Jaltës, ndërkaq pas ‘90-ës, Jugosllavia u shpërbë, kurse sot kemi 7 shtete që dolën nga kjo Jugosllavi. Por, ka mbetur akoma një 10-përqindësh pa u riparuar nga Konferenca e Versajës, që është Kosova, e cila duhet të ketë të drejtën e bashkimit me Shqipërinë. Duke qenë se fqinjëve tanë bashkësia ndërkombëtare ua ka riparuar padrejtësisë, atëherë kjo kërkesë është një shtysë për ta çuar deri në fund riparimin e këtyre gabimeve të së shkuarës aq më tepër, kur kemi të bëjmë me qëndrime kolonialiste. Këto qëndrime janë kritikuar edhe nga pasardhësit e vetë këtyre ambasadorëve të fuqive të mëdha. Në vitin 1999, ministri i Jashtëm britanik Robin Kuk, kur foli në dhomën e Komunëve për sulmin e NATO-s mbi Jugasllavinë, pyetjes që iu bë nga konservatorët, se pse Britania merr pjesë dhe i ndihmon shqiptarët, iu përgjigj: “Ne kemi vendosur t’i zhbëjmbë padrejtësitë që i kemi bërë ndaj popullit shqiptar”. Nocioni duhet t’i zhbëjmë padrejtësitë duhet të shkojë deri në fund, se padrejtësia që iu bë popullit shqiptar ishte copëtimi. Pavarësia e Kosovës është një hap i përkohshëm, pra është një minimum i kërkesave të shqiptarëve në një kohë që shqiptarët kanë të drejtë që të mos kërkojnë më minimumin, por të kërkojnë mesatare dhe kjo do të thotë në që mënyrë fare normale të lejohet bashkimi i Kosovës me Shqipërinë.

Lajmeshqip.com: Zoti Danaj, përveç bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, ju kërkoni edhe një dëmshpërblim për kombin shqiptar. Pse dhe kush duhet ta paguajë këtë dëmshpërblim?

K.Danaj: Ka një problem. Në kërkesën që i drejtohet edhe Gjykatës së Hagës dhe fuqive të mëdha, kërkohet veç anulimit të mbledhjes së Londrës, kërkohet edhe një dëmshpërblim prej 100 miliardë stërlinash ndaj kombit shqiptar.

Pse është kjo shifër? Sipas dokumenteve osmane të periudhës së asaj kohe, pasuria e katër vilajeteve otomane mbi të cilat u shpall Pavarësia e Shqipërisë, në atë kohë, ishte 1 miliard stërlina në vit. Copëtimi në më shumë se gjysmën e kombit shqiptar do të thotë se kombi shqiptar ka humbur çdo vit nga 1 miliard stërlina dhe meqë që atëherë kanë kaluar 100 vjet, dëmshpërblimi për kombin shqiptar duhet të jetë 100 miliardë stërlina. Këto 6 fuqi të mëdha, të cilat e realizuan këtë copëtim kolonialist, sot e pranojnë vetë që një veprim i tillë ka qenë i gabuar.

Lajmeshqip.com: Kur do ta dërgoni këtë kërkesë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë?

K.Danaj: Ne aktualisht jemi në fazën e përpunimit të të gjitha materialeve që kemi mbledhur dhe jemi në fazën e përpunimit dhe të parashtrimit të të gjitha materialeve që kanë të bëjnë jo thjesht me dokumente arkivore, që flasin për këtë copëtim kolonialist, që kanë të bëjnë jo thjesht me përdorimin e një standardi me fuqitë tjera dhe një tjetër standard për kombin shqiptar, por që kanë të bëjnë edhe me dëshmi të mjaft politikanëve, disa prej të cilëve nuk janë gjallë, por që kanë lënë me shkrim dëshmitë e tyre, dhe të pjesës tjetër që është gjallë. Duke u ndodhur në këtë fazë dhe duke marrë parasysh edhe përkthimin që do t’i bëhet materialit, mendoj se fillimi i muajit shtator, kur nis edhe sezoni i punës, do të jetë momenti më i përshtatshëm përfundimtar i dërgimit të materialit 37-40 faqe, që do t’i dërgohet GJND-së dhe 7 fuqive të mëdha.

Lajmeshqip.com: Kush do ta bëjë dhe kush do ta ndjekë padinë në GJND?

K.Danaj: Kërkesën do ta bëjë Lista për Shqipërinë Natyrale, të cilën unë e drejtoj. Më duhet të sqaroj një element. Për kërkesën që do t’iu bëhet 6 ministrave të jashtëm plus DASH-it, problemi është fare i thjeshtë, sepse ajo do t’u dërgohet. Ndërsa, në GJND-në, në Hagë, ekziston një problem i cili për ne nuk përbën asnjë shqetësim. Shqetësim duhet të përbëjë më vonë për shtetin shqiptar, sepse në bazë të nenit 34 të GJND-së, shtetet mund ta vënë në lëvizje këtë gjykatë. Kjo nuk ka të bëjë me Listën për Shqipërinë Natyrale që unë e drejtoj. Ajo që ka të bëjë me Listën…, është depozitimi i kërkesës për të cilën nuk ka asnjë pengesë juridike. Kushdo ka të drejtë ta depozitojë si këkesë. Çështja, pastaj, nëse do ta marrë përsipër shteti shqiptar ta pranojë këtë kërkesë dhe të pranojë zyrtarisht që të dalë në mbrojtje të saj, është një problem që i takon qeverisë shqiptare, kësaj që është sot ose asaj që do të jetë nesër, apo edhe qeverisë që është në Kosovë. Ajo që na takon neve është rihapja e çështjes si një e drejtë e domosdoshme dhe historike. Kombi shqiptar ka dy veçori. E para, është rast sui generis, pasi është i vetmi komb që, duke filluar nga Hani i Hotit, që ndan Malin e Zi me Shqipëinë artificiale, që kur kalon Hanin e Hotit futesh në territor shqiptar, duke vazhduar me Qafën e Prushit, që ndan Kosovën me Shqipërinë, Qafën e Morinës, Hanin e  Elezit, Qafën e Thanës, që ndan Shqipërinë me Maqedoninë dhe Qafën e Botës që ndan Shqipërinë me Greqinë, të gjitha këto pika kufitare tregojnë se Shqipëria është i vetmi vend në Europë që kufizohet me veten e vet, në këtë rast me toka të tjera shqiptare. Atëherë a mund të lejohet në Europën demokratike një gjë e tillë? Në qoftë se BE-ja është vend demokratik, duhet që një situatë të tillë të mos e lejojë. Nëse e lejon, atëherë kushdo ka të drejtë të thotë se kemi të bëjmë me standarde të dyfishta.

Lajmeshqip.com: A keni patur kontakte me drejtues të shtetit shqiptar apo edhe të Kosovës, për ta vënë në lëvizje këtë kërkesë, në momentin që ajo do të depozitohet në GJND?

K.Danaj: Ka një problem që duhet ditur. Unë nuk pres sot që as qeveria shqiptare në Tiranë dhe as ajo në Kosovë të dalin hapur, sepse ato ecin me parimin që duhet në fillim të presim se cfarë do të thotë bashkësia ndërkombëtare. Pra, kanë harruar elementin kryesor. Politikanët shqiptarë në Kosovë kanë harruar se po të mos ishte UÇK-ja nuk do të kishte bombardime nga NATO-ja. Pra, kanë harruar atë që është më kryesorja që, po të mos lëvizësh dhe po të mos e ngresh problemin dhe të japësh argumentet, bashkësia ndërkombëtare ka aq shumë probleme, sidomos me Pranverën Arabe, sa nuk ka pse ta ngacmojë ajo këtë çështje. Kësisoji, synimi ynë kryesor është që do të arrijëm dicka, duke ftuar qeveritë në Tiranë dhe në Prishtinë në valle për t’i kërkuar faktorit ndërkombëtar se cili do të jetë qëndrimi i tyre. Është e çuditshme sesi nevoja për rikonfigurimin e hartës së Ballkanit, në vend që të vinte nga Tirana, vjen nga Beogradi dhe përmendet nga Beogradi bashkimi i shqiptarëve në një shtet. Por, duket se pas kësaj nuk është, thjesht, Beogradi, por ndonjë prej fuqive të mëdha. Në këtë gjeopolitike duket që shumë shpejt fuqitë e mëdha, do t’u thonë qeverive shqiptare në Tiranë dhe në Prishtinë që ta hedhin edhe këtë hap. Deri tani jemi në këtë fazë. Dua të përmend këtu kryeministrin e Shqipërisë, i cili në fjalën e tij në për kremtimet e Shqipërisë për 100-vjetorin e pavarësisë, kërkoi bashkëpunimin e faktorit mbarëkombëtar, duke e quajtuar pavararësinë e Shqipërisë Pavarësi Mbarëkombëtare. Kaq mjafton për këtë fazë. Fazat tjera do të nodhin më vonë dhe jam i sigurt se periudha 2012-1015 do të jetë periudha e sendërtimit të Shqipërisë Natyrale. (LajmeShqip.com)

{fotogaleria}

 

 

 

 

{/fotogaleria}