Lajme Shqip Tuesday, 28 June 2011 10:09

Prishtinë – Policia e Kosovës ka kryer të gjitha përgatitjet sa i përket planit të sigurisë në lidhje me pjesëmarrjen e qytetarëve serbë në shënimin e Vidovdanit, ditë kjo në të cilën serbët mblidhen në Gazimestan për të festuar humbjen e Betejës së Kosovës.

Zyrtarja për informim e Policisë së Kosovës, Sabrie Kamberi ka thënë se plani operativ është përgatitur nga drejtoritë rajonale të Prishtinës dhe Mitrovicës për manifestimin i cili mbahet sot në manastirin e Graçanicës dhe në Gazimestan.

Duke pasur parasysh se në shënimin e kësaj dite, viteve të kaluara, serbët kanë provokuar shqiptarët me parulla çetnike, madje janë shënuar edhe incidente, Kamberi thotë se policia nuk do të hezitojë të veprojë ndaj atyre që shkelin rendin.

Vitin e kaluar disa dhjetëra autobus dhe makina kishin sjellë mijëra serbë në Gazimestan për të marrë pjesë në festën që ata e quajnë Vidovdan, e cila përkon me 622 – vjetorin e Betejës së Kosovës.

Betejën e humbur të Kosovës, serbët e ardhur nga Serbia, por edhe nga vise të ndryshme të Kosovës, e shënojnë me ritet e tyre fetare të festës së Vidovdanit.

Festa e Vidovdanit, që për serbët do të thotë pasqyrim i popullit serb dhe dëshmi e asaj se kush çka ka qenë, sivjet shënon edhe 622-vjetorin e Betejës së Kosovës, ku ishte vrarë sulltan Murati i Turqisë, por nga e cila betejë Serbia kishte dalë e humbur nga ushtria turke.