Lajme Shqip Sunday, 17 November 2013 17:28

Tiranë- Përkujtohet 69 vjetori i çlirimit të Tiranës nga ushtria naziste. Aktiviteti përkujtimor është mbajtur në sheshin e “Ushtarit të panjohur” në kryeqytet. 

Kjo ditë e shënuar për kryeqytetin ka mbledhur bashkë drejtuesit vendorë të cilët kanë përkujtuar Dëshmorët e Atdheut. Dhjetëra veteranë, qytetarë, kryetari i Bashkisë së Tiranë Lulzim Basha dhe prefekti Sadi Vorspi kryen homazhe dhe vendosën kurora me lule në monumentin “Nënë Shqipëri” në Varrezat e Dëshmorëve.

Gjatë kësaj ceremonie, fjalën përshëndetëse e mbajti, prefekti, Sadi Vorpsi dhe më pas kryetari i organizatës së veteranëve, Rustem Peçi. Të pranishëm ishin edhe disa nga familjarët e viktimave. Më pas fjalën e mori kreu i bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha, i cili theksoi se sot është dita e reflektimit për të mos i lënë të tradhëtohen vlerat e lirisë dhe demokracisë, për të cilat shqiptarët kanë paguar shumë shtrenjtë, raporton shekulli.

“Sot, përkulemi si çdo vit, me respektin më të thellë dhe mirënjohjen më të madhe ndaj atyre që mbetën të rinj përgjithmonë dhe që prehen në altarin e “Dëshmorëve të Atdheut”, këtu në Tiranë apo kudo tjetër”, -tha Basha.