Lajme Shqip Saturday, 21 January 2012 08:00

Prishtinë (PLOTESUAR, 21 Janar 13:30)- Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, vizitoi sot familjen Rugova dhe bëri homazhe para varrit të Presidentit Rugova në lagjen Velania, në përvjetorin e gjashtë të vdekjes së Presidentit Historik të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.

Në një bashkëbisedim me familjen, Presidentja Jahjaga tha se, “vlerat e Presidentit Rugova kanë qenë dhe do të jenë edhe në të ardhmen një udhërrëfyes i mirë për të gjitha gjeneratat e vendit tonë”.

Këto vlera, tha ajo, janë një udhërrëfyes i mirë për të gjithë ne, që të punojmë në të mirë dhe në interes të vendit dhe të popullit tonë. Duke nderuar veprën e Presidentit të Parë, Presidentit Historik, dr. Ibrahim Rugova, nderojmë të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen tonë.

“Ndjejmë të gjithë dhimbje që Presidenti dr. Ibrahim Rugova nuk gjendet fizikisht në mesin tonë. Ai gjithmonë ka qenë një njeri që ka rrezatuar mençuri, mirësi dhe optimizëm. Kosova dhe populli i saj gjithmonë do ta kujtojë vizionarin dhe udhëheqësin tonë, i cili, gjithnjë, me durimin dhe me përkushtimin e tij dhe me rrugën e proceseve demokratike për vendin e popullin tonë, trazoi rrugën për liri, demokraci dhe pavarësi”, tha Presidentja Jahjaga.

Presidenti Rugova, u shpreh ajo, e trasoi rrugën e Kosovës shtet i pavarur dhe sovran. Po ashtu, e trasoi rrugën që Kosova të jetë vend i anëtar i BE dhe i NATO-s, me një miqësi të përhershme me SHBA-të.

Pas vizitës në familje, Presidentja Jahjaga bëri homazhe para varrit të Presidentit Rugova, në lagjen “Velania”, në Prishtinë.

Homazhe kanë bërë edhe kryeministri Hashim Thaçi, kreu i LDK-së Isa Mustafa, ish-presidenti Fatmir Sejdiu, kreu i AKR-së, zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli dhe kreu i LDD-së Nexhat Daci.

*************************

Prishtinë -Kosova kujton sot Presidentin historik, liderin arkitekt i pavarësisë, Ibrahim Rugova, në gjashtëvjetorin e ndarjes nga jeta. Nën patronazhin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, rreth mesditës do mbahet Akademi Përkujtimore, pasi më parë ajo viziton Familjen Rugova dhe bën homazhe te Varri i Presidentit Ibrahim Rugova.

Akademi përkujtimore do mbajë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, parti e themeluar nga Rugova para mëse dy dekadash. Kjo parti dhe të tjera, delegacione dhe qytetarë, do bëjnë po ashtu homazhe.

I lindur,  më 2 dhjetor 1944 në fshatin Cercë, komuna e Istogut, Ibrahim Rugova që para më se dy dekadave hapur përcaktonte pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallte  idenë për shtet duke theksuar se “zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Shqipërisë e Serbisë dhe një administrim civil ndërkobëtar si fazë kalimtare”.

Rugova, derisa ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës,  më 23 dhjetor 1989 u bë themeluesi dhe lidri i Lidhjen Demokratike të Kosvës, e cila më shumë se parti lindi si lëvizje gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci.

Më 24 maj 1992, pas deklarimit të popullit të Kosovës në referendum për pavarësi një vit më parë, Rugova në zgjedhjet e para nacionale parlamentare e presidenciale u zgjodh Presdident i Republikës së Kosovës, e cila ishte shpallur në vitin 1990, por nuk ishte njohur ndërkombëtarisht.

Si gjithmonë, edhe më 4 mars 2002, duke u inaguruar në Parlamentin e Kosovës president i pas zgjedhjeve të para nacioanle të pasluftës, Rugova thoshte: “Çdo ditë ne të gjithë duhet të zgjohemi me një mendim të bukur: ‘Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?’”.

Pavarësia  e Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të saj, dhe si i vetmi kompromis theksohej e ritheksohej vazhdimisht nga Rugova.

“I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, tha shumë prerë  Ibrahim Rugova më  6 tetor 2005, në takimin e parë  me Grupin Negociator, formimi i të cilit ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë.

Më 21 janar 2006, u shua njeriu që bëri epokë, Presidenti historik Rugova – Presidenti i lëvizjes së fuqishme gjithëpopullore demokratike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, duke lënë me veprën e tij jetësore gjithmonë ndezur dritën e të ardhmës për Kosovën shtet euroatlantik. (LajmeShqip.com)