Lajme Shqip Sunday, 25 August 2013 10:16

Tiranë- Partia Socialiste ka ftuar 50 arkitektë dhe urbanistë të njohur nga e gjithë bota në konferencën ndërkombëtare “Shqipëria e gjeneratës së re”, që do të zhvillohet në datat 26 dhe 27 gusht. Të ftuarit janë njohur me problematikën e zhvillimit urban në Shqipëri gjatë një tryeze të rrumbullakët dje paradite në hotel “Sheraton”, të drejtuar nga Artan Lame, Auron Tare dhe Artan Shkreli, e më pas përmes një turi janë njohur me disa nga monumentet kyçe të trashëgimisë kulturore në Tiranë dhe Durrës.

Ata kanë pasur një darkë mikpritjeje me kryetarin e PS-së, Kryeministrin e zgjedhur Edi Rama, i cili i ka prezantuar gjendjen ku ndodhet planifikimi urban dhe reforma që ai kërkon të bëjë mbi territorin në krye të qeverisë së tij. Në turin e tyre, grupi i arkitektëve, urbanistëve dhe ekonomistëve, është shoqëruar nga ministrja e ardhshme e qeverisë së re, Eglantina Gjermeni, e cila për mediat ka shprehur qëllimin e pjesëmarrjes së tyre në këtë konferencë ndërkombëtare.

“Ne jemi me një grup prej 50 arkitektësh dhe planifikuesish urbanë nga e gjithë bota. Kam kënaqësinë të them që janë një grup ekspertësh shumë të njohur në botë që kanë përvoja dhe karriera profesionale të shkëlqyera. Jemi vërtet shumë të kënaqur që ata janë sot me ne dhe për të na dhënë këndvështrimin e tyre, përvojën e tyre, angazhimin e tyre dhe karrierën profesionale sesi konkretisht Shqipëria mundet që sfidat e zhvillimit urban, sfidën e madhe të planifikimit të territorit mund ta realizojë me sukses për një zhvillim më të mirë ekonomik dhe social, për një zhvillim që t’u vlejë qytetarëve”, tha Gjermeni.

Sipas saj, reforma për kontrollin e territorit ka qenë pjesë e programit elektoral të PS në zgjedhjet e 23 qershorit.

Konferenca me titull “Shqipëria e gjeneratës së re” do të fokusohet në ndërtimin e një vizioni të ri për një zhvillim të qëndrueshëm urban dhe formësimin e një modeli të ri ekonomik për një zhvillim të qëndrueshëm. Qëllimi i saj është të grumbullohen eksperienca të suksesshme ndërkombëtare, në mënyrë që të gjenden zgjidhjet më të mira për sfidat madhore me të cilat përballet Shqipëria. /albeu.com/