Lajme Shqip Wednesday, 01 June 2011 09:48

Tiranë – Këtë javë, 39 Vullnetarë të Rinj të Korpusit Amerikan të Paqes filluan shërbimin e tyre pranë bashkive, organizatave me bazë komunitare, shkollave, qendrave shëndetësore anembanë Shqipërisë.

Zyra e shtypit e Ambasadës Amerikane në Tiranë bëri të ditur se në përfundim të trajnimit të tyre të enjten e kaluar në Elbasan, vullnetarët bënë betimin para Ambasadorit të SHBA-së Aleksandër Arvizu.

Diplomati amerikan i përgëzoi ata për shpirtin e vullnetarizmit, duke theksuar rolin e tyre si ambasadorë “jozyrtarë” si edhe administroi betimin e tyre.

Vullnetarët studjuan gjuhën dhe kulturën shqiptare për 10 javë në zonën e Elbasanit përpara se të caktoheshin nepër komunitetet në mbarë vendin ku do të punojnë për dy vitet e ardhshme si mësues të gjuhës angleze, promovues të shëndetit  dhe keshillues për zhvillimin komunitar.

Bashkëpunimi ndërmjet Korpusit të Paqes dhe qeverise shqiptare është një shenjë e qartë e lidhjes së fortë midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë.

Korpusi i Paqes i mbetet besnik misionit të vet për të promovuar paqen dhe miqësinë midis popujve nëpërmjet tre qëllimeve, të ndihmojë vendet e interesuara të përmbushin nevojat me individë të trajnuar, të promovojë kulturen e vlerat amerikane ne vendet ku Vullnetarët shërbejnë si dhe të promovojë në Amerike vlerat kulturore të vendeve ku Vullnetarët shërbejnë.

Këta 39 vullnetarë të rinj, ju bashkohen 52 Vullnetarëve të gupeve të mëparshme që vazhdojnë të shërbejnë në qytete si Has, Kukës, Rrëshen, Ersekë, Leskovik, Ksamil, etj.

Korpusi i Paqes sjell çdo vit grupe të rinj vullnetarësh për t’u ardhur në ndihmë nevojave të identifikuara nga komunitetet shqiptare i cili e hapi programin e vet në Shqipëri në 1992 me ftesë të qeverisë shqiptare, por pati një ndërprerje në 1997 duke u rihapur në 2003.

Duke perfshirë edhe këtë grup të ri të vullnetarëve të sapo-betuar, mbi 300 vullnetarë kane kryer shërbimin e tyre që nga rihapja e programit në 2003.

Në 1 Mars 1961, presidenti John F. Kennedy firmosi urdhërin ekzekutiv të themelimit të Korpusit të Paqes. Në këto 50 vite, më shumë se 200,000 Amerikanë kanë kryer shërbimin e në 139 vende të botës. Aktualisht, 8000 Vullnetarë të Korpusit të Paqes shërbejnë në 74 vende të botës.