Lajme Shqip Saturday, 04 June 2011 15:51

Prishtinë – Rreth 30 mijë maturantë kosovarë i janë nënshtruar sot testit të maturës shtetërore, i cili është mbajtur në 101 qendra në nivel të vendit. Maturantët kanë pasur 180 minuta në dispozicion, për t’u përgjigjur në 100 pyetje, kurse për të kaluar testing nevojitej që gjysma prej tyre të jenë të sakta. Me qëllim të evitimit të parregullsive në objektet shkollore janë vendosur kamera, ndërsa objektet shkollore ku është mbajtur testimi janë ruajtur nga policia.

Në shkollën e Mesme Teknike “28 Nëntori”, testi i maturës ka filluar në orën dhjetë, ashtu siç ishte paraparë, ndërsa përgatitjet kanë qenë të nivelit të duhur.

Drejtori i kësaj shkolle, njëherit menaxher i kësaj qendre të testimit, Hajrush Vitia, tha gjatë hyrjes së nxënësve nëpër qendra testimi, gjithçka ka shkuar në rregull.

Vendet ku nxënësit ishte e paraparë që t’i nënshtrohen testit ishin korridoret e shkollës dhe kjo, sipas drejtorit, ishte bërë në bazë të një vendimi të MASHT-it që testi i maturës të mbahet në ambiente të hapura, në mënyrë që të evitohen parregullsitë.

Për t’i vizituar maturantët në këtë qendër testimi ishte drejtori i Drejtorisë së Arsimit nga komuna e Prishtinës, Remzi Salihu, i cili tha se Komuna e Prishtinës i ka bërë të gjitha përgatitjet për mbajtjen e këtij.

Ndërsa vetë nxënësit të cilët bëheshin gati për fillimin e testit, megjithëse ndjeheshin të stresuar, ishin optimistë do të kalonin testin me sukses.

Procesi i testimit u përcoll edhe nga Policia e Kosovës, në mënyrë që të mos ketë parregullsi.

Pyetësori është hartuar nga Komisioni përkatës dhe përmbante 100 pyetje, ndërsa kalueshmëria është 50 për qind përgjigje të sakta.

Testi i maturës karakterizohet nga tri risi. Në këtë proces është kyçur edhe stafi akademik i Universitetit të Prishtinës. Provimi mbahet kryesisht në hapësira të mëdha, përfshirë këtu edhe ato të UP-së, dhe nxënësit që kalojnë me sukses këtë sprovë dije, nuk do të kenë nevojë të hyjnë në provim pranues për regjistrim në Fakultetin e Shkencave Matematikore-Natyrore, Fakultetin e Bujqësisë dhe atë të Makinerisë.

Nxënësit që nuk e kanë paraqitur provimin, nuk do të kenë mundësi të kyçen në këtë proces, por ata do të hyjnë në test në afatin e gushtit. Ndërkaq, nxënësit të cilët gjatë provimit do të mbajnë celularë me vete, do të përjashtohen nga provimi.