Lajme Shqip Monday, 02 November 2015 09:06

Dy dëshmorët e rënë më dy nëntor të vitit 1989, Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitia nga Komuna e Podujevës, edhe sot e asaj dite kujtohen si dy të rënë për të mbrojtur atdheun e tyre.

Gjatë ditës do të ketë homazhe tek vendi i rënies së tyre, në Lagjen Bregu i Diellit, Prishtinë.

Fahriu thuhet se ka marrë pjesë në demonstratat e vitit 1981, motoja e të cilave ka qenë Kosova Republikë, madje ka qenë edhe i burgosur për 15 ditë për shkak të pjesëmarrjes në demonstratë.

Në ditë e vrasjes e gjithë banesa ishte e rrethuar me forcat serbe, me tanke e me helikopterë për rreth 24 orë.

Fahriu dhe Afrimi, kur e kanë parë që janë të rrethuar kanë ikur nga dritarja e banesës, dhe më të dalë nga dritarja, Afrimi merr shtatë plumba dhe Fahriu një plumb.

Fahri Fazliu, u lind në vitin 1963 në Llaushë të Podujevës.

Shkollën fillore e përfundoi në vendlindje, ndërsa të mesmen në Prishtinë. Ai ishte pjesëmarrës edhe në demonstratat e vitit 1981. Në vitin 1981-1982 Fahri Fazliu shkon në shërbimin ushtarak, dhe pas kthimit nga shërbimi ushtarak u punësua si dispeçer i trenave në Organizatën Hekurudhore ‘Prishtina’, ku këtu edhe ishte personi i parë që urdhëresat do t’i shkruajë në gjuhën shqipe. Dhe kështu pas shumë aktiviteteve, më datë 2 nëntor të vitit 1989, ai u rrethua nga UDBA serbe në atë kohë dhe prej orës 12 e 45 minuta deri në ora 19:00 të shtënat nuk janë ndalur, ku edhe plagoset dhe bie heroikisht në lagjen Kodra e Diellit në Prishtinë.

Afrim Zhitia u lind në vitin 1965 në fshatin Llugë të Podujevës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Prishtinë. Më 1982, si nxënës i vitit të tretë të shkollës së mesme, inkuadrohet në organizatën ilegale Fronti Nacionalçlirimtar i Kosovës. Më 1984 arrestohet bashkë më shokë dhe dënohet me katër vjet burg. Kurse, thirrja e organeve të pushtuesit, në qershor të vitit 1989, që Afrimi të shkojë në shërbim ushtarak të pushtuesit, nuk e ndau nga përpjekjet e mëdha që kishte bërë e synonte t’i bënte.

Kështu më 2 nëntor të dy bashke Afrimi dhe Fahriu u rrethuan në lagjen Kodra e Diellit dhe pas një lufte disa orësh që bënë me serbët të dy u vranë nga dora e këtyre të fundit.