Lajme Shqip Tuesday, 21 July 2015 08:24

Fondi i planifikuar për veteranët e UÇK-së është zvogëluar për 6 milion euro në procesin e rishikimit të buxhetit. Për këtë kategori tashmë janë në dispozicion vetëm 18 milionë euro e jo 24 milionë, sa kanë qenë në fillim të vitit.

Kjo “tkurrje” ka ndodhur në procesin e rishikimit të buxhetit të Kosovës për vitin 2015, ku nga 24 milionë euro, sa ishin ndarë fillimisht për këtë kategori, tashmë janë lënë në dispozicion vetëm 18 milionë euro.

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Verifikimin e Listave të Veteranëve të Luftës, Agim Çeku ka konfirmuar për gazetën “Zëri” shkurtimin e buxhetit për veteranët për 6 milionë euro.

Ai ka bërë të ditur se ka kërkuar sqarim nga Ministria e Financave në lidhje me këtë çështje, ndonëse siç thotë ai, nuk i ka pëlqyer ky vendim.

“Po, kam biseduar me ministrin e Financave, Avdullah Hoti, dhe ai është arsyetuar se meqenëse buxheti prej 24 milionë eurosh për veteranët është i pashfrytëzuar, atëherë ato 6 milionë janë flokuar për një linjë tjetër buxhetore”, ka thënë Çeku.

Ai nuk e di saktësisht se kur mund të përfundojë i gjithë procesi i verifikimit dhe shqyrtimit të 20 mijë ankesave të veteranëve dhe kur do të nisë procesi i pagesës për këtë kategori të luftës.