Lajme Shqip Wednesday, 22 July 2015 17:30

Para gjyqit, kosovari tregtinë me automjete e kishte quajtur “hobi”, edhe pse kishte shitur 108 automobila

Gjykata e Lartë e Kantonit Zug i ka shqiptuar një shqiptari 41 vjeçar nga Kosova një dënim 22 muajsh burg nga të cilat 12 muaj me kusht dhe 10 muaj burg efektiv. Ai është dënuar për mashtrim gjegjësisht shfrytëzim pa të drejtë të sigurimit të invaliditetit.

Personi në fjalë e ka bërë këtë abuzim me vite të tëra duke ofruar të dhëna të rrejshme mbi gjendjen e tij shëndetësore shkruan zentralplus.ch.. Avokatja e tij kishte kërkuar që dënimi i klientit të saj, i shqiptuar në vitin 2014 nga Gjykata Penale të kthehej në dënim me kusht por trupi gjykues i Gjykatës së Lartë ka marrë vendim tjetër, duke ia zvogëluar për dy muaj pjesën e dënimit me burg.

I dënuari, edhe pse merrte pension invalidor, bënte tregti me automobila dhe e fshihte këtë veprimtari të tij fitimprurëse. Para gjyqit ai tregtinë me automjete e kishte quajtur “hobi”, edhe pse nga viti 1995 deri në vitin 2010 ai kishte shitur 108 automobila në kantonin e Zugut. Disa prej tyre, në emrin e bashkëshortes, transmeton albinfo.ch.

Në vitin 2005, zyra për pensionet invalidore e kantonit të Zugut e kishte nisur një procedurë revizioni. Ndërsa më vonë ajo e kishte angazhuar një byro detektivësh për të përgjuar kosovarin dhe kështu i kishte rënë në gjurmë makinacioneve të tij. Zyra e pensioneve të invaliditetit është dashur që atij t`ia ndërpriste pensionin që në vitin 2007 por këtë e kishte bërë vetëm në vitin 2010.

Për këtë, Gjykata Penale e kishte fajësuar edhe zyrën e pensioneve e cila është dashur ta merrte vendimin e saj shumë më herët nisur nga manipulimet lidhur me gjoja paaftësinë e tij për punë që janë gjetur te i fajësuari. Për këtë arsye, kosovari mund të konsiderohet fajtor për përfitimin pa të drejtë të pensionit vetëm për periudhën maj 2005 – maj 2007. Kështu, shuma e parave të përfituara pa të drejtë reduktohet nga 214.512 franga në 85.000 franga.

Më tutje, gjykata konstaton se nga viti 2012 e tutje personi tashmë i gjykuar nuk ka kryer vepra të tjera të dënueshme. Veç kësaj ai pjesërisht edhe ka pranuar veprat penale si vozitjen pa patentshoferi dhe ka treguar pendim për vjedhjen e kryer te punëdhënësi i gruas së tij. Gjykata po ashtu e vlerëson pozitivisht faktin se personi në fjalë tashmë po provon të gjejë veten në botën profesionale të punës. Nga shtatori i vitit 2014 ai punon me orar të shkurtuar si shtrues i dyshemeve dhe nuk merr ndihma sociale, përcjell albinfo.ch. Po ashtu punon edhe gruaja e tij.

Megjithatë trupi gjykues ngre dyshime nëse i dënuari do të mund t`u qëndrojë zotimeve të tij dhe nëse ai ka me të vërtetë vullnet për ndryshime. Kjo për faktin se ai, nga vit 2005 deri në vitin 2012 ka kryer në vazhdimësi shkelje të ndryshme të ligjit. Edhe gjatë periudhës së ndjekjes penale ndaj tij dhe pas bastisjes së banesës, ai ka kryer vepra të ndryshme penale si: vozitje përkundër marrjes së lejes se vozitjes, fajësim të rrejshëm, vjedhje dhe prishje të qetësisë. E gjithë kjo tregon se ai është në një masë i papërmirësueshëm, konstaton gjykata.

Por, pasi që nga viti 2012 e këndej ai ka pasur qëndrim korrekt, gjykata ia ka zvogëluar dënimin nga 24 muaj në 22 muaj (10 muaj burg efektiv). 12 muajt janë lidhur me kusht për tre vjet, tranmseton albinfo.ch. Ndërkaq dënimin me burg ai mund ta mbajë ashtu që gjatë ditës të mund të punojë ndërsa natën ta kalojë në burg.

Pos dënimit me burg, kosovari do të paguajë një gjobë prej 1500 frangash dhe një tjetër prej 300 frangash. Ai do të paguajë po ashtu edhe shpenzimet e procedurës ankimore prej 3080 frangash.